Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, në një bisedë në Fax News, shprehu pakënaqësi në lidhje me marrëdhënien që Lulzim Basha ka me aleatët e tij. Ndoka tha se për momentin Basha nuk ka kontakte me aleatët, dhe se kreu i PD-së u orientua gabim gjatë gjithë ndërtimit të fushatës.

Ndoka u shpreh se në gjykimin e tij analiza e zgjedhjeve në PD duhet të ishte bërë përpara zgjedhjeve për kryetarin, ndërsa u shpreh se Basha nuk diti të ndërtonte një marrëveshje publike me aleatët.

“Çdo parti politike bën analizat e veta përmes strukturave, padyshim që do të ketë dhe një analizë për opozitën e bashkuar në tërësi, unë gjykoj sot se një prej shkaqeve përtej manipulimit të votës, është mungesa e funksionimit të opozitës si një trupë zgjedhore. Ne duhet të nxjerrim mësimet, opozita e pati të vështirë përballjen me mazhorancën, edhe pse Edi Rama ishte i vetëm.

Janë shumë arsye se pse opozita pati rezultat, zoti Basha e ndërtoi fushatën më vete, pra pati njëlloj protagonizimi nga Basha për tu ballafaquar në mënyrë direkte me zotin Rama. Ai ndoshta e futi në vorbull, dhe zoti Basha nuk diti që të ndërtonte një marrëveshje publike me aleatët. Nuk pati kontakte të vazhdueshme gjatë fushatës me aleatët, dhe kjo pati kostot dhe pakënaqësitë e veta.

Nuk ka kontakte për momentin, për faktin se PD u fut në një spirale të zgjedhjes së kryetarit, duhet të ishte e kundërta, të ishte bërë njëherë analiza  dhe më pas të bëhej zgjedhja e kryetarit. Ka një lloj tendence për ti parë aleatët si të tepërt, ndërkohë që është e kundërta, ne jemi penalizuar nga heshtja e PD-së për heqjen e koalicioneve”, u shpreh Ndoka.

fax web