Në një dalje për mediat nga selia blu, kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se kjo është koha për të ringritur partinë nga rrënojat. PD, deklaroi Basha, do të jetë një parti që do t’i prijë mbylljes së tranzicionit.
I pyetur sesi çfarë qëndrimi do të mbajë PD-ja zyrtare pasi Sali Berisha paralajmëroi se do të ketë një protestë të radhës, Basha nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Në javët e ardhshme, oligarkët që financojnë mediat, aleatët e trekëndëshit të Bermudës, e dyshes Rama-Berisha, do investojnë shumë para që të zhvendoset gjithë debati në çështje dytësore, tretësore… përpjekja ime do të jetë ta mbajmë vëmendjen aty ku duhet për të nisur menjëherë rrugën e ndryshimit.”
Basha deklaroi se vendosmëria e tij për ta vijuar betejën që ka nisur për atë që e cilëson si masakra zgjedhore e 25 prillit do të qëndrojë e palëkundur.
“Kjo që shikoni këtu nuk është beteje mes një grupi huliganësh që Berisha i solli për të pushtuar shtëpinë e demokratëve, kjo që shikoni këtu është eskalimi i një beteje mes të shkuarës e të ardhmes. Këtu nga rrënojat e dhunës të orkestruar nga një prej dinosaurët e tranzicionit. I qëndroj besnik besimit që kam marrë nga demokratët për ta çuar deri në fund betejën që kemi nisur nga masakra e 25 prillit. Pengje të askujt veçse të qytetarëve shqiptarë.” u shpreh Basha