Lulzim Basha e konsideroi skandalin e rrjedhjes së të dhënave personale as më pak dhe as më shumë, por një zgjatim të skemës së patronazhistëve. “Është asgjë më pak se zgjatim i skemës së patronazhistëve që u mbrojtën dhe promovuan nga Edi Rama” tha ai.

Kryedemokrati tha se skandali i pagave dhe inceneratorët kanë një lidhje, që sipas tij është Edi Rama. “Kemi të bëjmë me një autor dhe përfitues pavarësisht dy skandaleve. Me paratë e inceneratorëve janë blerë vota. Me nxjerrjen e të dhënave u dëshmua se makineria shtetërore, përfshirë edhe të dhënat sensitive u vendosën në shërbim të masakrës elektorale.

Rama duhet të jepte dorëheqjen dhe pastaj të kërkonte ndjesë. Po përpiqet që ta zvogëlojë këtë skandal. Ky është një akt kriminal i urdhëruar. Kjo është një çështje e pushtetit që lidhet me Ramën është pjesë e skemës së patronazhimit që lidhet me blerjen e votës dhe mandatit të tretë.

Burimi i cdo të keqeje është blerja e votës. Ky skandal lidhet me skandalin e vjedhjes me inceneratorët dhe ajo që i bashkon është ideatori, zbatuesi dhe përfituesi i të dyjave, është Edi Rama.

Koka e aferës së inceneratorëve nuk është Lefter Koka. Edhe SPAK nëse do të hetojë deri në fund, do të çojë pas hekurave gjysmën e qeverisë aktuale, përfshirë kryeministrin. Një megaproces që nis nga Koka dhe jo nga bishti” tha ai.

Gjendjen aktuale në Shqipëri, Basha e krahasoi me atë të Italisë në vitet ’90 duke kërkuar “Tangentopoli”-n (termi i përdorur në Itali për gjyqet) edhe në vendin tonë.

“Tangentopoli është një term që u përdor kur gjysma e klasës politike ra në burg për lidhje me mafien në vitet ’90. Drejtësia italiane iu përgjigj këtij skandali, ku nuk u kursye asnjë nga të përfshirët” tha ai./ Abcnews.al