Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka përmbyllur vizitën e tij në qytetin e Kukësit me një takim me të rinj të këtij qyteti.
Ata i janë ankuar Bashës për papunësinë dhe mungesë të mundësive për të ardhmen, si dhe faktin që rinia e këtij qyteti po largohet.
Basha nga ana e tij u shpjegoi atyre planin e Partisë Demokratike për mënyrën se si do të mbështeten të rinjtë, sipërmarrjet, si dhe familjet e reja.
Ai gjithashtu tha se me planin ekonomik që parashikon uljen e taksave, uljen e çmimit të naftës dhe të energjisë dhe thithja e investimeve të huaja do të rindez e ekonominë shqiptare që do të mundësoj vende të reja pune dhe paga më të mira.
Basha: Unë e kuptoj që me 200 mijë lekë rrogë, nuk jetohet. Nuk jetohet! Dhe dikush që thotë që unë kam 200 mijë lekë rrogë, më mirë iki, futem në borxh, futem në kamion dhe shkoj në Angli. Dhe ndryshimi në radhë të parë për mua do të thotë mirëqenie, rritja e pagës minimale kjo qё the. Paga minimale prej 360 mijë lekësh apo 300 eurosh, por qё nuk do tё vij me dekret as me deklarata para fushate do tё vij me njё plan tё mirё, dhe ne kёtё plan e kemi, kemi ekspertët pёr ta zbatuar atё, kemi vendosmërinë pёr ta zbatuar atё.
Dy janë arsyet kryesore pse po plaket Shqipëria, largimi i të rinjve dhe rënie e çifteve të reja dhe e lindshmërisë. Ndaj, ndër politikat tona kryesore për ta ndalur këtë plakje të Shqipërisë, këtë tkurrje, këtë zvogëlim të Shqipërisë, janë pikërisht mbështetja e çifteve të reja, si për strehimin ashtu edhe për fëmijët e porsalindur. Duke filluar nga viti ynë i parë i qeverisjes, ne do të financojmë 100% interesat e kredive bankare për çiftet e reja që blejnë një banesë në mënyrë që të themelojnë familjen e tyre, që do të thotë se deri në fund të mandatit tonë të parë, në fund të 4-vjeçarit, 20 mijë çifte të reja do të kenë mundësinë të blejnë banesat e tyre me një kredi që e marrin në bankë ku interesi shlyhet 100% nga fondet që qeveria do vërë në dispozicion dhe natyrisht kjo është një ndihmë shumë e madhe. Është një ndihmë e madhe në kuptimin e prekshëm të fjalës, të mundesh të blesh një banesë, një apartament në një qytet apo në një zonë ku ke dhe punësimin por është edhe psikologjike.
Ndihma e dytë që do të japim është që për çdo fëmijë të porsalindur, deri sa të bëhet 5 vjeç do të ketë një bonus prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj. Sigurisht, nuk është një mrekulli, por është në përputhje me mundësitë që ka Shqipëria dhe nuk është një ndihmë e vogël, shkon të paktën për të përballuar shpenzimet që vijnë, shpenzimet ekstra që vijnë me lindjen e një fëmije dhe me një rritjen e një fëmije deri në moshën 5-vjeçare. Plani ynë për arsimin, tekstet shkollore falas. Plani i mbështetjes së studentëve me pagesën e tarifave për të gjithë ata që vijë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj. Pra për ti dhënë fund tkurrjes së popullsisë dhe mbi të gjitha një plan konkret për të avancuar me zhvillimin ekonomik të vendit.
Ora news