Teksa vetëm një ditë na ndan nga Kuvendi Kombëtar i PD-së, kreu i kësaj force politike, Lulzim Basha ka postuar një video mesazh ku shprehet se nesër do të zgjidhet e ardhmja e PD-së.
Shpallja e Sali Berishës “non grata” nga SHBA, solli trazira brenda partisë demokratike, ku deputetët dhe anëtarët e kësaj partie u ndanë në dy pjesë, në mbështetës të Sali Berishës një lideri historik të kësaj partie dhe në mbështetës të Lulzim Bashës i cili aktualisht mban vulën dhe kryesimin e PD-së.
Basha mori një vendim tejet të bujshëm kur vendosi të pezullojë Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së që solli një kthesë të madhe për selinë blu. Berisha përveç “betejës” që nisi me SHBA për heqjen e “non grata”, paralelisht nisi edhe një “luftë” të brendshme në PD për shkarkimin e Lulzim Bashës, që sipas tij u realizua në Kuvendin Kombëtar të PD-së të thirrur nga vetë ai, më 11 dhjetor. Por Berisha nuk është ndalur këtu, pasi më 18 dhjetor ka thirrur një referendum për shkarkimin e Bashës nga anëtarët e partisë.
PD duket ende e ndarë mes kreut aktual dhe ish-lider Sali Berisha, pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për demokratët dhe se si do ndahen fatet e dy figurave kryesore të kësaj force politike./abcnews.al/