
Lulzim Basha ka ironizuar sërish deklaratat e kryeministrit, ku nga Elbasani i kërkoi që t’i japë përgjigje pyetjes: “ku i ke shokët, pse i ke shokët aty? A je i paaftë e duhet të shkakohesh menjëherë, të shkarkohesh tani? Apo je pjesë e aferave korruptive dhe e ke vendin aty tek shokët, tek 7×7, 313-të?”.
Po ashtu Basha i ka përmendur sërish zyrtarët e qeverisë së tij të cilët janë hetuar dhe prangosur nga drejtësia për vepra penale të ndryshme.
Deklarata e plotë:
Basha: Gjurma e korrupsionit është kudo. Po në asnjë vend më shumë sesa aty ku Edi Rama i mblodhi shokët e tij në inceneratorin e Elbasanit. Një mbledhje ogurzezë, për të justifikuar aferën korruptive më të paimagjinueshme në historinë e Shqipërisë pluraliste si avokatë të një skeme tërrësisht korruptive. Aty ishin Ter Koka dhe Lali Eri. Aty ishte Ben Tigri, aty ishte Alqi, aty ishin shokët me të cilët ndërtohej kjo aferë korruptive, me të cilët përpijnë jo një, jo dhjetëra, por qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë. I nxorrën nga xhepat të zbrazura dhe të varfëruar të familjeve të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë. I hoqën nga investimet për lagjet dhe fshatrat e Elbasanit.
I shtrydhën nga spitalet e rënuar të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë. I zhdukën nga fondi i pronarëve që dhe sot e kësaj dite vazhdojnë të trajtohen me të njëjtin cinizëm si në kohën e diktaturës. I mblodhi pra kështu paratë e shqiptarëve për t’ia dorëzuar në dorë një bande kriminale bashkë me ministrat e tij, në atë që sot i madh e i vogël, e gjithë Europa e deri në Amerikë e njohin si afera e inceneratorëve.
Këtu merr kuptim gjithçka, edhe pyetja ime tash 8 ditore, “ku t’metën shokët”. Sepse shokët që kishte me vete në inceneratorë për ta mbrojtur vjedhjen e shekullit, një nga një ia mori SPAK. Ca SPAK, e ca dekriminalizimi. Sigurisht është një pyetje retorike. Shqiptarët e dinë se ku janë shokët e Edi Ramës, ndaj dhe thirrja ime ku i ke shokët, pavarësisht se shumica e njerëzve vënë buzën gaz, të gjithë na shkon ndërmend se përgjigjja ndaj pyetjes se ku i ke shokët është përgjigjja më e vërtetë ndaj të vërtetës më të madhe që është korrupsioni i kësaj qeverie. Një nga një të gjithë shokët e tij në burg, para drejtësisë, në arrati, ose në hetim.
Ndaj, dëgjoje mirë o Rame, se ndryshe nga ç’the sot në Lezhë nuk jam duke kërkuar banjon, nuk të ngatërroj ty me banjon, mos ki merak, por ktheji përgjigje shqiptarëve: ku i ke shokët, pse i ke shokët aty? A je i paaftë e duhet të shkarkohesh menjëherë, të shkarkohesh tani? Apo je pjesë e aferave korruptive dhe e ke vendin aty tek shokët, tek 7×7, 313-të?!.
