Një 35-vjeçar me 3 emra ka rënë në pranga, si pasojë e një bashkëpunimi të Policisë së Shtetit dhe SPAK.

Bëhet fjalë për Muharem Koroveshi alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj, 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili në bashkëpunim me L. Z. dhe E. Z., të cilët janë shpallur në kërkim, kishin planifikuar për të goditur një pjesëtar të një grupi kriminal kundërshtar, sipas burimeve të gazetares Dorjana Bezat.

Operacioni i koduar “Trëkëndëshi”, u zhvillua nën drejtimin e SPAK, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetje të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë dhe Tiranë.

Gjatë operacionit, u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin Muharem Koroveshi alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj, 35 vjeç, banues në Vlorë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin shkurt 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme.

Top Channel