Vanessa Bryant, e veja e legjendës së NBA-së Kobe Bryant, ka hedhur poshtë me humor thashethemet e fundit në rrjete sociale se është shtatzënë.

Përmes një postimi në Instagram Story të dielën, ajo reagoi duke ndarë një meme me këngëtaren Rihanna, duke lëvizur gishtin e mesëm ndërsa mbante një pije, me mbishkrimin: “Unë po mbroj qetësinë time, nuk jam shtatzënë dhe po argëtohem gjithë verën.”

Vanessa ripostoi edhe një tjetër meme të Rihannës që lexonte: “Nuk jam e keqe, thjesht nuk jam e duhura.”

Postimet e saj erdhën pas disa spekulimeve të pabazuara që qarkullonin online, duke aluduar se 43-vjeçarja mund të ishte në pritje të fëmijës së pestë. Deri tani nuk ka pasur asnjë konfirmim apo provë për vërtetësinë e këtyre zërave.

Vanessa ka qenë një figurë e rezervuar që nga vdekja tragjike e Kobe Bryant dhe vajzës së tyre 13-vjeçare, Gianna “Gigi” Bryant, më 26 janar 2020, në një aksident me helikopter në Calabasas, Kaliforni. Ajo dhe Kobe kishin katër vajza: Natalia (22), Bianka (8) dhe Capri (5), krahas Giannës.

Që prej asaj tragjedie, Vanessa nuk është parë të jetë në një lidhje publike. Ajo ka mbajtur gjallë kujtimin e Kobe-s dhe Giannës përmes postimeve prekëse në rrjetet sociale dhe nismave përkujtimore.

Më 18 prill, ajo përkujtoi përvjetorin e 24-të të martesës me Kobe-n me një foto të çiftit nga tapeti i kuq, ndërsa në gusht të vitit të kaluar, publikoi një homazh emocional për ditëlindjen e 46-të të tij.

Së fundmi, Vanessa njoftoi lançimin e Çmimit të Bursës Gianna Bryant më 2 maj – në atë që do të kishte qenë 19-vjetori i lindjes së vajzës së saj Gianna, duke e kthyer dhimbjen në një iniciativë për të ndihmuar të rinjtë.