Home AKTUALITET Bashkimi Europian hapi kufijtë me Shqipërinë/ Ja si udhëtohet dhe pengesat që...

Bashkimi Europian hapi kufijtë me Shqipërinë/ Ja si udhëtohet dhe pengesat që mund të vendosë secili vend i unionit.

19

Do të mjaftojë vetëm një tampon negativ për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Europian.

Rënia e ndjeshme e shkallës së infeksionit nga COVID-19 dhe përshpejtimi i procesit të vaksinimit kanë bindur vendet e unionit për hapjen e kufijve. Vendet anëtare të BE-së janë dakordësuar një ditë më parë që të heqin kufizimet e udhëtimit edhe për qytetarët nga 8 shtete, përfshirë edhe vendin tonë. Ndërkohë krahas Shqipërisë, “si zonë me rrezik të ulët” janë konsideruar po ashtu edhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

VENDIMI

Por çfarë do të thotë ky vendim për ata që duan të udhëtojnë, qoftë për pushime apo për të takuar të afërmit e tyre? Vaksinimi është pasaporta për të udhëtuar, por jo mundësia e vetme. Pra të gjithë ata që janë vaksinuar me të dyja dozat me vaksina të certifikuara nga Bashkimi Europian, siç janë “Pfizer” dhe “AstraZenca”, mund të udhëtojnë pa asnjë problem. Mjafton të ketë kaluar një periudhë 2-javore nga marrja e dozës së dytë. Por në vendin tonë pjesa dërrmuese janë vaksinuar me vaksinën kineze “Coronavac”. Por çfarë mbetet pozitiv është fakti që vendimi i djeshëm i BE-së për të nxjerrë Shqipërinë nga zona e kuqe krijon mundësinë e lëvizjes edhe me anë të testit. Pra mjafton një test negativ për të udhëtuar në zonën Shengen. Por pavarësisht kësaj, BE ka bërë të qartë se secili nga shtetet anëtare mund të vazhdojë të aplikojë karantinën. Një gjë e tillë mbetet në kompetencën e çdo shteti anëtar të BE-së, prandaj thuhet në njoftim, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar koronavirusin. Sakaq, për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, duhet të mos regjistrohen më shumë se 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit.

CERTIFIKATA DIXHITALE

Një javë më parë Parlamenti Europian miratoi “Green Pass”, certifikatën dixhitale që do të lehtësojë udhëtimet brenda unionit. Efektet do të nisin duke filluar nga data 1 korrik, çfarë do të thotë se duke nisur nga muaji tjetër të gjithë të vaksinuarit, pra personat që kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid, mund të udhëtojnë lirisht brenda unionit. Certifikata e pajisur me një kod identifikues do të lëshohet falas nga autoritetet kombëtare dhe do të jetë në dispozicion në formatin dixhital ose letër. Ky dokument që do të shërbejë për të vërtetuar injektimin e të dyjave dozave të vaksinës do të jetë i vlefshëm për 9 muaj. Por mundësia e lëvizjes nuk do të jetë vetëm për të vaksinuarit, por edhe për ata që e kanë kaluar koronavirusin. Kështu, do të jenë tri certifikata që do të lëshohen. E para do të jetë për të vaksinuarit, tjetra për ata të cilët janë rikuperuar nga infeksioni, si edhe një tjetër për ata që kryejnë testin dhe rezultojnë negativë.