Landi gjerman i Bavarisë njoftoi nënshkrimin e një “kontrate paraprake” për të marrë 2.5 milionë doza të vaksinës ruse Sputnik V. Kjo vaksinë është ende subjekt i miratimit nga Agjencia Europiane e Barnave.

Kjo “kontratë paraprake është nënshkruar sot” tha kryeministri i landit Markus Söder, ndërsa shtoi se “nëse Sputnik V miratohet në Europë, atëherë landi i Bavarisë do të marrë 2.5 milionë doza në muajt e ardhshëm”.

R-PharmGermany, një degë e gjigantit rus të prodhimit të barnave R-Pharm, ka një linjë prodhimi në qytetin bavarez të Illertissen dhe është gati për të prodhuar vaksinën ruse, sipas disa mediave gjermane.

Söder, një kandidat i mundshëm për të zëvendësuar kancelaren Angela Merkel, tashmë i ka kërkuar në Mars Agjencisë Europiane të Barnave të “përshpejtojë” procesin e miratimit të Sputnik V.

Shpërndarja e vaksinimeve në BE-së është kritikuar si shumë e ngadaltë dhe vendet e tjera anëtare, përfshirë Austrinë dhe Sllovakinë, kanë njoftuar tashmë se do të negociojnë porositjen e vaksinës ruse.

Hungaria aktualisht është e vetmja anëtare e BE-së që administron Sputnik V.

Qeveria gjermane deri më tani ka thënë se dëshiron të presë vendimin e Agjencisë Europiane të Barnave përpara se të hyjë në negociata për blerjen e Sputnik, ndërsa është shfaqur si një nga avokatët kryesorë të kësaj vaksine në Europë.

Vende të tjera perëndimore akuzojnë Moskën për përdorimin e vaksinës së saj si një mjet ndikimi gjeopolitik, akuza që Rusia i hedh poshtë.