Borrell dhe Várhelyi: Kush e mohon nuk ka vend në Europë.
Në Europë nuk ka vend për mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Kjo është deklarata më e fundit e lëshuar nga përfaqësuesit më të lartë të Komisionit Europian, zëvendëspresidenti Jozef Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhejl në përkujtim të 27-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës.
Sipas tyre ende edhe sot paqja nuk mund të merret si e mirëqenë.
“Agresioni i pajustifikuar dhe i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës ka rikthyer një luftë brutale në kontinentin tonë. Vrasjet masive dhe krimet e luftës që shohim në Ukrainë sjellin kujtime të gjalla të atyre që u dëshmuan në luftën në Ballkanin Perëndimor në vitet 1990.”
Ndërsa vetë BE bën një “mea culpa” për masakrën e ndodhur në korrik të vitit 1995 ku forcat serbe ushtarake të regjimit të Sllobodan Milosheviçit vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë të Srebrenicës.
“Europa nuk e ka harruar atë që ndodhi në Srebrenicë dhe përgjegjësinë tonë për të mos qenë në gjendje të parandalojmë dhe ndalojmë gjenocidin. Në Srebrenicë, Europa dështoi dhe ne jemi përballur me turpin tonë.”
Ditët e fundit, Parlamenti shqiptar miratoi me shumicë dërrmuese votash një Rezolute që dënonte masakrën në Srebrenicë. Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i Shqipërisë i bëri thirrje OKB-së dhe organeve të drejtësisë për ndëshkimin e kriminelëve të luftës për genocidin dhe krimet e tjera dhe i bën thirrje NATO-s zgjerimin e me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.