BE kërkon nga liderët politikë në Kosovë e Serbi që menjëherë t’i japin fund retorikës nxitëse dhe të veprojnë me përgjegjësi. Kurti e Vuçiq takohen më 18 gusht në Bruksel për të diskutuar “të gjitha çështjet e hapura”.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për deklaratat që kanë qarkulluar në Kosovë e Serbi, ku përmenden lufta dhe konflikti. BE ka bërë të qartë, se “do t’i cilësojë përgjegjës liderët politikë për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.
Tre ditë para takimit të nivelit të lartë Kosovë-Serbi që zhvillohet në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Bashkimi Evropian kërkon nga palët përmbajtje nga retorika nxitëse. Kurti e Vuçiq takohen më 18 gusht në Bruksel të ftuar nga kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell për të diskutuar “të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve”, siç thuhet në një komunikatë të BE-së.
“Rritja e retorikës nxitëse kohëve të fundit nga ana e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimor paraqesin shqetësim të madh. Politikanët e lartë nga të dyja palët do të cilësohen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të çojë deri tek ndonjë rritje e tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”, thuhet në një deklaratë për mediat të zëdhënësit të BE, Peter Stano. BE kërkon të dyja palët duhet “menjëherë t’i japin fund armiqësive mes tyre dhe deklaratave nxitëse, si dhe të veprojnë me përgBorrell: Zgjidhja e raporteve Kosovë-Serbi vetëm me dialogjegjësi”.
Kurti: Pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa ditë më parë tha se “më datën 31 korrik, kur serbët lokal vendosën barrikada në rrugë “pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur në veri të Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nga ana tjetër tha se ai “ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet “likuidimi i popullit tonë”, duke iu referuar serbëve që jetojnë në Kosovë. Këto deklarime dhe zhvillimet që ndodhën në veri të Kosovës me 31 korrik, nxitën Bashkimin Evropian të reagojë duke thënë se BE-ja pret që dy liderët të diskutojnë të gjitha temat sfiduese në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell.
“Bashkimi Evropian rikujton se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve kërkon një klimë, e cila do t’i kontribuonte kthimit të besimit, pajtimit dhe raporteve të mira, ku marrëveshjet e së kaluarës respektohen dhe implementohen në tërësi, dhe ku veprimet e deklaratat të cilat nuk janë në përputhje me interesat e përgjithshme dhe qëllimet strategjike të rajonit nuk kanë vend”, thuhet në deklaratën e BE-së.