Sapo u konfirmua se Donald Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, nga liderët evropianë nuk u dëgjua më asnjë fjalë e keqe për të.

Shumica dërrmuese e 47 krerëve të shteteve dhe të qeverive të mbledhur në Budapest për samitin e “Bashksisë Politike Evropiane”, EPG mendojnë se partneriteti me SHBA-në do të vazhdojë, thotë DW.

Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilit Donald Trump dëshiron t’i shkurtojë paratë për luftën për t’u mbrojtur prej Rusisë, tha pas bisedës telefonike me Trumpin se ajo kishte qenë shumë e mirë dhe se ai “e kishte vlerësuar familjen dhe ekipin e Trumpit për punën e tyre të madhe”.

Zelensky tha se gëzohet për “një epokë të një SHBA-je të fortë nën udhëheqjen energjike të Presidentit Trump”. Kjo duhet t’i pëlqejë Donald Trumpit, i cili gjatë fushatës zgjedhore pretendoi se mund t’i jepte fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës brenda 24 orësh, madje edhe para fillimit të detyrës si president.

Në një fjalim emocionues në Budapest megjithatë, kreu i shtetit ukrainas paralajmëroi gjithashtu se lëshimet ndaj Rusisë do të ishin “vetëvrasje për Europën”.

“Nuk duhet të ketë asnjë iluzion se duke shfaqur një dobësi ose duke shitur disa pozicione europiane ose pozitën e ndonjë vendi europian, mund të blihet paqja. Thjesht nuk funksionon në këtë mënyrë. Ky është shpërblimi vetëm për të fortët. Kështu që, nuk ka alternativë për një Europë të fortë. Për forcën, uniteti është thelbësor, natyrisht”, tha Zelensky.

Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha gjithashtu në samit se ai gëzohet për bashkëpunimin me administratën e Trumpit “për të arritur paqen me forcë” dhe shtoi se një gjë e tillë kishte funksionuar aq mrekullisht gjatë katër vite të para të Trumpit në post.

Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron tha në samit se Europa nuk duhet t’ua lërë përgjithmonë në dorë mbrojtjen e saj amerikanëve.

“A duam që të tjerët të shkruajnë histori, luftërat e Vladimir Putinit, zgjedhjet në SHBA apo politikat tregtare të Kinës? Apo duam të shkruajmë historinë tonë? Unë mendoj se kemi forcë për ta shkruar atë,” tha shefi i Elizesë.

Jehonë bëri edhe deklarata e kryeministrit Edi Rama, që i paralajmëroi kolegët e tij evropianë se kjo mund të jetë edhe një mundësi për Europën që të ndryshojë gjërat dhe t’i shohë ato ndryshe.  Shpenzimet më të larta të mbrojtjes në Evropë nën presionin e Trump çuan në një NATO më të fortë.

Shpenzimet rreth dy për qind të prodhimit kombëtar bruto u rritën më shpejt, veçanërisht pas sulmit rus në Ukrainë në vitin 2022 – kur presidenti Joe Biden ishte në detyrë.

Top Channel