Pavarësia e SPAK në hetim, pa presion dhe ndërhyrje politike, është me rëndësi thelbësore, për Bashkimin Europian. Ky është qëndrimi i Brukselit në përgjigje të A2CNN, në lidhje me zhvillimet e fundit dhe qëndrimet e Kryeministrit Rama pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Qëndrimi i ri i Edi Ramës për strukturën e posaçme antikorrupsion, pas arrestimit të Erion Veliaj, kanë tërhequr vëmendjen e zyrtarëve në BE. A2 CNN iu drejtua Komisionit Europian për një koment mbi deklaratat e kryeministrit Rama ndaj hetimit të SPAK për Erion Veliajn, fjalë të cilat duket se nuk kishin tingëlluar mirë në Bruksel.

Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Komisioni Europian për A2 CNN

A2 CNN pyeti komisionin europian edhe mbi deklaratën e Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku kërkoi një mandat të katërt në zgjedhjet e 11 majit, për të rikthyer standardet në sistemin e drejtësisë, duke paralajmëruar ndryshime në kornizën e reformës në drejtësi. Por për Brukselin, reforma është e pandryshueshme duke e lidhur ngushtë më integrimin në Bashkimin Europian.

Reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.

Komisioni Europian për A2 CNN

Në reagimin për A2 CNN, Komisioni Europian pohon se po ndjek “nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim”, thekson Brukseli. (A2