Mbi 100 efektivë policie të 6 komisariatëve në kryeqytet bëjnë të ditura burimet jo zyrtarë i janë nënshtruar testit të drogës. Teksa testimi për të provuar nëse në radhët e policisë ka përdorues droge, vijon, burime bëjnë me dije se nga përgjigjet e para të analizave shifrat janë befasuese, sidomos në disa prej komisariateve të kryeqytetit me një numër prej të paktën 16 punonjësish.
Shumica e efektivëve që kanë rezultuar pozitiv kanë shfaqur pretendime për pavërtetësi të analizave duke regjistruar ankesat e tyre. Siç parashikon edhe ligji, ankesat do të shqyrtohen dhe mund ti nënshtrohen një testimi të dytë. Një burim i tha Fax News se testimet kanë vijuar edhe në drejtoritë e Rretheve, ku evidentohet një rast befasues në elbasan. Një efektivë policie 20-vjeçare me shërbim në këtë drejtori, ka rezultuar përdoruese e drogës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka paralajmëruar se efektivët që dalin pozitiv do të lirohen menjëherë nga detyra, ndërsa për raste specifike mund të ketë edhe nisje të hetimeve apo masa shtrënguese.
Më datë 11 dhjetor pritet që drejtori Nano të ketë një konferencë për shtyp. Gjatë kësaj konference tha një burim zyrtar do të zbulohen edhe detaje rreth testimeve për drogën në radhët e policisë.
Gjithashtu, rreth kësaj date Gledis Nano pritet që të ketë edhe një takim me drejtues të Guardia di Finanzas italiane por ende nuk është bërë e ditur nëse do të zhvillohet në Tiranë apo në shtetin fqinj. Konferenca mes dy agjencive do të trajtojë mes të tjerave edhe luftën e përbashkët kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Me ardhjen në krye të Policisë së Shtetit, Gledis Nano ndër urdhërat e parë që dha ishte testimi për drogën në radhët e Policisë, ku nuk do të përjashtohet nga ky proces duke nisur nga kupokla drejtuese deri tek punonjësi më i thjeshtë. Mbi 11 mijë punonjës do ti nënshtrohen testimit periodik dhe të paparalajmëruar.