Ka zgjatur më pak se 48 orë arratia e Kasandër Nogës, fierakut që udhëtoi nga Shqipëria për në Belgjikë për të sulmuar hasmin e tij.

Si rrallë në përballje të këtij niveli kriminal, personat e përfshirë në gjakmarrje kërkojnë të eliminojnë njëritjetrin vetë, pa përdorur apo paguar persona të dytë apo të tretë.

Ky lloj mekanizmi ka funksionuar mes tyre që kur nisi edhe konflikti mes djemve fierakë që kishin dalë bashkë në Perëndim, kishin nisur herët aktivitetin e tyre e për pasojë edhe kishin hedhur hapat e parë të sherrit mes tyre, që do të çonte në reagime gjakësore me disa të vdekur e të plagosur mes tyre.

Kasandër Noga u ndoq nga Brukseli, menjëherë pas atentatit ndaj Erion Hasanbelliut, pasi Policia e Brukselit e kishte të ravijëzuar portretin e tij.

Ai u mbajt nën vëzhgim dhe në momentin kur ka hyrë në Vjenë, Policia belge u ka kërkuar homologëve austriakë që të mbikëqyrnin veprimet e tij. Sipas të dhënave, atentatori i dyshuar i Hasanbelliut ka prenotuar një dhomë hoteli me idenë për të marrë linjën Vjenë-Tiranë, ndërkohë që sipas mediave vendase Policia belge ishte në kërkim edhe të një personi tjetër që ka qenë me të në momentin e atentatit.

Ka të dhëna që dy personat janë ndarë e për pasojë shoqëruesi i Nogës nuk është kapur ende, por Policia belge dyshohet se e ka të identifikuar dhe madje emrin e tij e ka përcjellë edhe te Policia jonë me qëllim kapjen e tij nëse hyn në territorin shqiptar.

Noga është vënë në pranga në hotel, pasi belgët e hetimit nuk kanë pasur besim ta lënë të marrë avionin pasi ka ekzistuar droja se Noga mund t’i shpëtonte prangosjes në Rinas. Ai nuk ka bërë asnjë rezistencë, madje ka shfaqur habi se ç’punë kishte Policia me të në momentin kur i kanë vënë pranga!

PAS ARRESTIMIT

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arrestimin e Kasandër Nogës në Vjenë të Austrisë, i akuzuar për atentatin ndaj Erion Hasanbelliut në Belgjikë. Burime nga Policia shqiptare bëjnë të ditur se një person i dytë dyshohet si i përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.

Policia shqiptare ka marrë një kërkesë për bashkëpunim nga policia belge për arrestimin e Nogës, por ai nuk ishte në Shqipëri. Pas shkëmbimit të informacionit me Policinë belge, Kasandër Noga u arrestua të hënën në Austri.

Këtë fakt e sqaroi Policia jonë ditën e djeshme, ndërsa bëhet me dije se kanë informacion edhe mbi personin tjetër të kërkuar nga ana e belgëve.

Media belge “7 sur 7” njofton se 43-vjeçari shqiptar Erion Hasanbelliu mbeti i plagosur rëndë nga plumbat gjatë të shtënave në qendër të Brukselit mbrëmjen e së shtunës. I dyshuari kryesor është Kasandër Noga (45 vjeç), një kriminel shqiptar.

Media raporton, se autori dhe viktima kanë një mosmarrëveshje prej njëzet vitesh. Kasandër njihet për vrasjen e “reanimacionit” ku mbeti i vrarë i ati i Hasanbelliut.

Rreth dy vite më vonë, familja Hasanbelliu qëlloi për vdekje një mik të Kasandrit në një kafene në Antverp. Të shtënat në vendin e famshëm ‘Place de Brouckère’, në qendër të Brukselit, ndodhën të shtunën në mbrëmje rreth orës 20:20, pak metra jashtë hyrjes së hotelit ‘NH Collection’.

Mbi shënjestrën janë qëlluar gjashtë plumba, ndërsa Hasanbelliu është goditur në gjoksdhe në këmbë dhe sipas mjekëve jeta e tij është në rrezik.

“7 sur 7” shkruan se sipas dëshmitarëve të shumtë okularë bëhet fjalë se atentati ka lidhje me probleme të mëdha mes dy familjeve që nuk kanë marrë zgjidhje prej më shumë se 20 vitesh.

Ata shkruajnë se familja e të plagosurit prej dekadash ka pasur probleme me kriminelin shqiptar Kasandër Noga. Ky ‘vrasës me pagesë’ 45-vjeçar është dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri. Ai njihet për “vrasjen në reanimacion”.

Në vitin 2002, Kasandër Noga hyri në dhomën e reanimacionit të një spitali shqiptar ku ishte shtruar Aqif Hasanbelliu (babai i Erion Hasanbelliut). Ai hoqi tubat ushqyes nga krahu dhe qëlloi burrin dhe një shokun e tij. Një vit më vonë, familja Hasanbelliu u kundërpërgjigj.

Djemtë Erioni dhe Geroni hynë në një kafene në Antverp ku sapo kishin mbërritur Kasandër Noga dhe shoku i tij Julian Çela. Çela ka ndërruar jetë menjëherë, Kasandër Noga ka mbetur i plagosur rëndë, por i ka shpëtuar sulmit.

Drejtësia belge arrestoi Erion Hasanbelliun dhe e dorëzoi në Shqipëri në vitin 2013.

Dy fëmijë 12 vjeç treguan të dhënat e vrasësit të Astrit Shpërdhesë, që përkonin me Kasandër Nogën

Emri i Kasandër Nogës, ashtu siç është i njohur në vendin tonë, është po aq i njohur edhe në dy kryeqendrat e shqiptarëve të krimit në Belgjikë. Mësohet se Antverpen nuk ka qenë vetëm stacioni final ku u përplas me Hasanbellitë në atë pritë fatale ku humbi shokun e tij dhe desh la edhe jetën e vet.

Ai u dyshua dhe u hetua edhe për vrasjen e një tjetër shqiptari atje, por që nuk u mundësua dot gjetja e provave për ta mbajtur në qeli Nogën.

Dy fëmijë që u bënë dëshmitarë të ngjarjes nuk u morën për bazë në gjykatë e për pasojë Noga e mundi Prokurorinë belge.

Mediat vendase kanë shkruar ditën e djeshme se autori i dyshuar i të shtënave në Bruksel, Kasandër Noga, është i njohur edhe prej instancave gjyqësore belge. Ai doli në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Antverpen në vitin 2005 për vrasjen e shqiptarit Astrit Shpërdheja (37 vjeç).

Burri u qëllua për vdekje në mes të ditës në Antverp nga një agresor që udhëtonte me një biçikletë BMX. Kjo ishte gjithashtu një larje hesapesh midis shqiptarëve.

Dëshmitarët okularë më të rëndësishëm ishin dy djem dymbëdhjetëvjeçarë që qëndronin në trotuar. Juria popullore nuk u bind nga provat dhe Kasandër Noga u shpall i pafajshëm.

Sipas me diave shqiptare, Policia belge kishte lëshuar tashmë një urdhër kërkimi ndërkombëtar për Kasandër Nogën këtë fundjavë. Sipas prokurorit publik të Brukselit, nuk është vërtetuar nëse është në të vërtetë ai që ka qëlluar. Policia gjyqësore federale po analizon aktualisht pamjet nga kamerat e shumta të instaluara në Place de Brouckère.