Kryetari i PD Sali Berisha, i është përgjigjur një propozimi që ka bërë mbrëmjen e djeshme Enkelejd Alibeaj, i cili tha se nëse duan të dalin me kandidat të përbashkët, të bëjnë 50% garë në primare dhe 50% sondazhe për të preferuarin e demokratëve.
I pyetur sot nga gazetarët, Sali Berisha u shpreh se për të bërë sondazhe në të gjithë Shqipërinë për kandidatët e primareve, duhen 800 mijë deri në 1 milion euro, të cilat ai tregoi Partia Demokratike nuk i ka.
“Unë nuk kam asnjë kundërshtim për sondazhet, që të jem i hapur. Por sondazhet nuk mund të zëvendësojnë votimet. Se nuk shpenzoheshin miliarda euro në botë për zgjedhje, por bëheshin sondazhe. Por të marrësh përsipër të sondosh për kandidatët në mbarë vendin, duhet të bësh 800 deri në 1 milionë euro. Por nuk i kemi.
Unë do të mirëprisja kërkesën hajde si të bëjmë votën më të mirë, më transparente. Por nuk mund të zëvendësojmë poll-et (sondazhet) me votën. Poll-et dixhitale, nëse bëhen me teknika të sakta, provohen si më të sakta. Por në asnjë rrethanë, as sondazhet dixhitale dhe as konvencionale, nuk zëvendësojnë votën”, u shpreh Sali Berisha, kryetar i PD.