“Berisha nuk ka gjetur dhe nuk do të gjejë edhe 10 jetë po të ketë person me etik, mirënjohës dhe luajal se Lulzim Basha në raportin profesional, politike dhe personal.”
As besnikëria në jetë të jetëve duket se nuk po bind Sali Berishën pa ta afruar Lulzim Bashën, sikundër ka bërë me të tjerë demokratë që kanë qenë dikur bashkëpunëtorë të tij të ngushtë.
“Jashtë çdo lloj mundësie, aq sa mund të jetë Taulant Balla”, u shpreh Berisha.
Dera blu për rikthimin e Lulzim Bashës, nga e cila doli në mars të 2022, me një dorëheqje deklarative, është e mbyllur, deklaron pa asnjë mëdyshje Berisha, që ka në dorë listat e PD-së për garën e 11 majit. Sali Berisha këtë javë zyrtarisht u rikthye në grupin parlamentar demokratë, pasi nga aty e hoqi Lulzim Basha pas përjashtimit që i bëri mbas shpalljes non grata nga SHBA. Por Berisha nuk do të tregohet hakmarrës me të, duke e lënë të mbyll mandatin e tij, si deputet demokrat.
“Ai nuk ka rëndësi regjistri, ai është si binjak siamez i Taulant Ballës”, tha Berisha.
Këto deklarime të fundit të Sali Berishës për ish-djalin e tij politik po i lënë Bashës vetëm një rrugë, që ai të kandidojë në zgjedhje, vetëm përmes një koalicioni, me parti pa asnjë peshë elektorale, si ajo e Kujtim Gjuzit apo Eduard Ndocajt, i njohur dikur si kaubojsi i Parlamentit.
Refuzimi u duk se mërziti Lulzim Bashën, që reagoi shpejtë. Në përgjigje ndaj Berishës, Basha thotë se politikisht Berisha nuk mund të ekzistojë pa një armik dhe i vetmi që ka i ka ngelur, është vetëm ai, për të hedhur shashka qesharake.
/abcnews.al/