Partia Demokratike propozoi një amendament në buxhetin e shtetit të vitit të ardhshëm, për vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro. Për opozitën, nisma e dërguar në Kuvend nga deputetët konsiderohej një mekanizëm i rëndësishëm ndihme për familjet në pamundësi ekonomike.

Deputetët propozues të amendamentit, Sali Berisha, Dhurata Çupi dhe Flamur Noka theksuan se Shqipëria është i vetmi vend pa minimumin jetik. Amendamenti synonte përcaktimin e një vlere financiare lidhur me të ardhurat që i sigurojnë çdo qytetari blerjen e ushqimeve minimale dhe sigurimin e disa shërbimeve të domosdosh

Por Qeveria pasi e ka shqyrtuar amendamentin e opozitës, ka vendosur ta rrëzojë atë, duke mos e reflektuar në propozimet që do të kalojnë në draftin final të buxhetit të shtetit i cili pritet të miratohet në seancën e nesërme Parlamentare.

Në mendimin e dhënë nga Këshilli i Ministrave thuhet se: “Në këndvështrimin buxhetor, bazuar edhe në mendimin e Ministrisë së Financave, vlerësohet se nisma e porpozuar nuk ka një metodologji të qartë për përllogaritjet e bëra për masën e minimumit jetik, për të analizuar me detaje nëse ky nivel përmbush nevojat reale të lidhura me këtë koncept dhe njëkohësisht të gjithëpranuara. Në këtë kontekst, nuk rezulton e qartë nëse kjo metodologji merr në konsideratë në vlerësimet e saj përfitimet sociale të buxhetit të shtetit. Theksojmë se buxheti i shtetit shpenzon mesatarisht 33% të shpenzimeve të përgjithshme publike për skema të ndryshme sociale, përqindja e të cilave është e krahasueshme me standardet e vendeve të tjera të rajonit”.

Këshilli i Ministrave ka pasqyruar edhe mendimet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. Kjo Ministri thekson se “në përmbajtje të projektligjit nuk janë përfshirë të gjitha kategoritë përfituese të aftësisë së kufizuar që trajtohen me statuse të veçanta, si edhe përfituesit nga programet e sigurimeve shoqërore që jetojnë jashtë vendit”. “Gjithashtu, kjo ministri vlerëson se është e paqartë metodologjia e përdorur për përllogaritjen e minimumit jetik dhe marrja në konsideratë e përfitimeve aktuale që kanë kategoritë në nevojë në fushën e mbrojtjes sociale, të financuara nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ccështjet sociale”.

Buxheti i shtetit për vitin 2025, pritet të diskutohet nen për nen seancën e ditës së nesërme, e cila parashikohet të jetë maratonë.

(BalkanWeb)