Sali Berisha do të shmang rrugën e shkelur një herë, që siç duket i ka dhënë një mësim për të mos e përsëritur të njëjtin gabim.

Kreu i PD-së pasi e ka refuzuar një herë, ka vendosur të respektojë detyrimin për t’u paraqitur dy herë në muaj para Oficerëve të Policisë Gjyqesore, sic këtë të premte vendosi për të Gjykata e Posaçme e Apelit.

Do e zbatoni vendimin?

“Do ta respektoj, sepse cështja është në Strasburg dhe kjo i shtohet dosjes”.

Këtë vendim Berisha e priti në zyrën e tij në selinë e Partisë Demokratike, ku qëndroi që prej orëve të paradites. Edhe pse e quan një vendim pa asnjë bazë ligjore, ai ka vendosur ta zbatojë atë, sic duket për të shmangur mundësinë e rëndimit të masës ndaj tij.

 “Vendim pa asnjë bazë ligjore, pilulë elektorale për të pashpresin Edi Rama, përpjekje e dëshuar e organizatës kriminale, SPAK, për të justifikuar veprën e tyre dhe në këtë kontekst, dëshmi e re e kontrollit të plotë të SKRAPIT nga Edi Rama, të zbatimit të urdhrave të tij politike”.

Vendimi i Gjykatës së Apelit riktheu Berishën në pikën kur nisi përballja e tij me zyrat e SPAK-ut; në tetorin e 2023, kur Prokuroria e Posaçme kërkoi që kreu i PD-së të paraqitej dhe i bllokoi pasaportën, ndërsa po e hetonte për cështjen Partizani.

Atëherë Berisha deklaroi dhe i qëndroi deri në fund se SPAK kishte shkelur Kushtetutën dhe kishte vendosur një masë sigurie, pa marrë autorizimin fillimisht nga Kuvendi. Dhe si kosto mori izolimin për 11 muaj në shtëpi.

Ai ndoqi të gjitha shkallët e gjyqësorit por të drejtën nuk e gjeti në favor të tij, por të SPAK-ut. Vulën ia vendosi Gjykata Kushtetuese, në nëntor të vitit që sapo kaloi, kur rrëzoi pretendimet e tij dhe i tha se Prokuroria e Posacme nuk duhet ti drejtohej Kuvendit dhe “detyrimi i paraqitjes” nuk e kufizonte atë nga politkbërja.

Këtë herë Berisha nuk e ka argumentin e anti-kushtetueshmërisë për rikthimin e masës fillestare ndaj tij dhe përmend vetëm hallkën e Gjykatës së Strasburgut, si derën e fundit ku kërkon të gjej drejtësinë që pretendon./abcnews.al