Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur fushatën për garën për kreun e Partisë Demokratike. Nga Elbasani, lideri historik i demokratëve tha se opozita duhet të jetë “të paktën 10 herë më aktive”.
“Ne demokratët nuk duhet të njohim lodhje, nga mëngjesi në darkë ne duhet të qëndrojmë në mbrojtje të interesave kombëtare, në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Duhet të bëjmë gjithçka që të mos ketë dallim të madh mes opozitarizmit të qendrës në Tiranë dhe degës në Elbasan, Vlorë e kudo.
“Do të jetë një opozitë shumë më aktive dhe kjo nuk do të thotë që do të jetë shumë më aktive se do të ushtojë parlamenti apo do bëhen vetëm protesta në Tiranë. Ajo do shtrihet në çdo skaj të vendit. Në këtë mënyrë ngjallim besimin ne. Ne duhet të jemi avoketër të pamposhtur të interesave dhe të drejtave të qytetarëve. Kudo! Aty ku lind padrejtësia, lind protesta. Aty ku lind dhuna, lind qëndresa. Këto janë të padiskutueshme. Nëse e keni vënë re, një alarmim i madh ka nisur në establishmentin socialist. Ata zgjohen dhe erren duke sulmuar opozitën se ishin mësuar komod. Komoditetin do ua prishim ne përfundimisht”.
Sipas Berishës në Shqipëri ka me qindra të rinj të motivuar të cilëve do ua dëgjonte idetë dhe projektet e tyre. Ai u shpreh se PD-ja duhet të hapet jo vetëm ndaj të rinjve në vend, por edhe atyre në diasporë. Sa i përket emigrantëve dhe diasporës, ish-kryeministri tha se PD-ja duhet të bëjë gjithçka që ata të votojnë.