
Në takimin me shqiptarët e Napolit, kredemokrati Sali Berisha tregoi se ishin pikërisht 333 ditët e tij në arrest shtëpie gjatë të cilave ai hartoi projektin ”Shqipëria madhështore” emër që mban edhe koalicioni i tij politik për zgjedhjet e 11 majit
“Ky projekt fillon me dhembshurinë ndaj atyre që janë në nevojë. Ndaj qindra e mijëra burrave dhe grave që numërojnë kafshatën në Shqipëri. Ndaj qindra e mijëra burrave dhe grave që nuk marrin dot ilaçet, që nuk mjekohen dot në spitale”-tha Berisha.
Çdo shqiptar që kthehet për të investuar në Shqipëri tha Berisha nuk do të paguajë taksa për 5 vite, ndërsa premtoi rikthimin e taksës 10%.
“Garantoj çdo biznesmen italian dhe të çdo vendi tjetër, se Shqipëria do ketë klimën më tërheqëse të biznesit. Se taksa 10 përqind, që është taksa e lashtësisë, është taksa e drejtësisë, do jetë taksa kryesore në Shqipëri.
Se energjia do jetë më lirë se në çdo vend tjetër të Europës. Se burokracia do jetë më e pakët se kudo tjetër. Shqipëria do jetë vendi më tërheqës investimeve tuaja, i investimeve të huaja, i investimeve të shqiptarëve.Made in Albania do jetë krenaria jonë”.
Berisha e kërkoi votën e diasporës që minimumi jetik të jetë 200 euro dhe paga mesatare 500 euro. Po ashtu ai tha se në Shqipërinë Madhështore, bizneset do ta paguajnë energjinë elektrike me 6 lekë kilovati, kurse qytetarët me 7 lekë./tch
