Ish kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat këtë të premte denoncoi zgjedhjen me votat të PS, të Presidentit të ri Bajram Begaj.

Berisha tha se tani vendi ndodhet në monizëm.

“Jam këtu për të bërë një deklaratë në emër të PD. Në Shqipëri vendoset monizmi i plotë.

Pas zgjedhjes më 6 qershor 2022 me votën vetëm të PS të Presidentit të Republikës, Edi Rama vendosi nën pushtetin e tij dhe institucionin e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të tij dhe në vend u rivendos sistemi monist i plotë dhe u varros sistemi demokratik i bazuar në ndarjen dhe balancën e pushteteve të garantuar në Kushtetutë.

Kështu sot në Shqipëri për herë të parë pas 31 vitesh të gjitha pushtetet pa përjashtim janë në duart e një njeriu të vetëm.

Ndodh në çdo pushtet, legjislativ, gjyqësor dhe çdo institucion tjetër të pavarur. Në pushtetin ekzekutiv, çdo ministër, zv. Ministër, drejtor i përgjithshëm, është përfaqësues i një force të vetme, atë të PS-së.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, kryetari, Drejtori i SHISH, ILDKPKI, Drejtues të Bordeve të Konkurrencës, Telekomunikacionit, funksionarët e këtyre institucioneve janë të emëruar nga PS.

Sot në këtë shtet monist, kryetarët e institucioneve të drejtësisë, ILD, KLP, KPK, KPA, Prokurorisë së Përgjithshme, të gjithë gjykatësit e Gjykatës së Lartë, janë të përzgjedhur dhe emëruar nga mazhoranca e PS-së. Një total i tillë partiak nuk ka ekzistuar. Sot në Shqipëri, të gjithë drejtuesit e komisioneve parlamentare, të gjithë drejtuesit e delegacioneve parlamentare, janë deputetë të PS-së, dhe në raste të veçanta të veglave të saj, Basha-opozitarëve”, tha Berisha.