Ish-kryeministri Sali Berisha ka vendosur të lobojë zyrtarisht në Amerikë për të hetuar shpalljen e tij dhe të familjes “non-grata”, e në fund për ta hequr këtë dizenjim nga aleatët strategjikë të Shqipërisë.

Në vitin 2021, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi ndalimin e Berishës dhe familjes së tij për të udhëtuar në SHBA, duke e akuzuar ish-udhëheqësin për përfshirje në “akte korruptive, të tilla si shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij” gjatë kohës së tij në pushtet.

Sali Berisha ka kontraktuar lobistin Charlie Black të kompanisë “Prime Policy Group”, një ish-këshilltar për fushatat presidenciale të Ronald Reagan, George HW Bush, George W. Bush dhe John McCain. Kompania është regjistruar zyrtarisht këtë javë për të përfaqësuar Berishën në Uashington “pro bono”, sipas dokumenteve të paraqitura në Departamentin e Drejtësisë.

Kontrata e lobimit të Berishës në Amerikë

Siç shkruan media me bazë në Virxhinia, SHBA, Politico, lobisti Charlie Black është zotuar të bëjë presion ndaj anëtarëve të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit për të hetuar nëse ka ndonjë lidhje midis marrëdhënieve të McGonigal në Shqipëri dhe administratës së Bidenit.

Lobisti amerikan e ka cilësuar vendimi për të sanksionuar Berishën dhe familjen e tij, si të “i gabuar” dhe thotë se nuk ka dijeni për asnjë provë.

“Kongresi merr raporte të rregullta nga Departamenti i Shtetit për arsyet e një deklarate për shpalljen e një personi non-grata”, ka thënë Charlie Black në një deklaratë, duke u bërë thirrje ligjvënësve “të hetojnë se si erdhi kjo deklaratë e veçantë”.

Kompania apo firma ligjore “Prime Policy Group” e Charlie Black nuk është e panjohur për Sali Berishën. Ajo ka përfaqësuar qeverinë shqiptare në çështje të ndryshe ligjore, kur Sali Berisha ishte kryeministër i vendit. Në një intervistë të veçantë lobisti amerikan ka thënë se ishte bërë mik me Berishën gjatë viteve dhe se të dy kishin mbajtur kontakte herë pas here.

“Mund të ketë informacione të klasifikuara diku që bien ndesh me atë që them, por nuk e di, kështu që dua që disa njerëz të përgjegjshëm ta shqyrtojnë atë”, është shprehur ai. Black, i cili vuri në dukje se Shqipëria u bashkua me NATO-n dhe BE nën qeverisjen e Berishës, ironizoi sugjerimet e fundit se Berisha mund të ishte në linjë me Kremlinin, duke theksuar se për kohën kur ai e kishte njohur, këto ishin pretendime të pabaza.