Nga zyra për të cilën bëri betejë për të larguar Lulzim Bashën, ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar këtë të shtunë një bashkëbisedim me qytetarët përmes Facebook. Duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, Berisha e ka vënë theksin tek protestat, si mënyrën e vetme për të larguar Edi Ramën.
“Mënyra më intensive e komunikimit tim me ju, ka qenë përmes rrjeteve sociale. Sa i përket protestave, e vërteta është se polarizimi në këtë vend po rritet me shpejtësi dhe shtresa e mesme po shkon drejt asgjësimit e të varfërit po bëhen më të varfër. Rama votën nuk e pranon dhe i gjithë ky zhvillim dramatik, përmbysje në shtresat e shoqërisë ka një shkak themelor dhunimin e votën prej tij.
Protestat janë rruga për të cilën është përcaktuar fronti për shpëtimin e Shqipërisë. Ju garantoj se do të nisin shumë shpejt. Janë shtyrë, por edhe shtyrja bëhe për shumë aspekte e padurueshme. Grevat e protesta do të jenë rrugët për të rikthyer në Shqipëri shpresën e votën e lirë për të dalë nga regjimi totalitar”, tha Berisha.Lidhur me situatën në selinë blu, Berisha deklaroi se hapja e partisë po ndodh dhe nënvizoi fillimin e primareve për zgjedhjet e ardhshme lokale.