Kryetari i PD, Sali Berisha rikthehet nesër në Kuvend, për herë të parë pas rreth 1 viti, që prej se SPAK dhe GJKKO caktuan masën e sigurisë arrest shtëpie në 30 dhjetor të 2023.  Berisha njoftoi sot se të martën do të jetë në seancën e Kuvendit kur pritet të diskutohet dhe miratohet buxheti i shtetit nen për nen. Ai tha se do të vazhdojë betejën e tij në Parlament, siç u shpreh, deri në fitore.

Kryedemokrati foli edhe për qendrimin në arrest shtëpie për 330 ditë, duke theksuar se fjalimet e tij çdo natë në dritare u shndërruan në tmerrin e qeverisë.

“E para, lidhur me kthimin në parlament. Natyrisht ai ishte një akt puçist, antikushtetues ndaj pluralizmit dhe opozitës, i kryer nga Edi Rama, nga Linda e Parlamentit apo Zonja Vila, nga Dumani dhe mercenarë të tjerë të drejtësisë, Irena me 5 mbiemra e me radhë. Ky ishte një grusht shteti brenda shtetit, kur merret një pushtet, tentohet të merret një pushtet për t’ia marrë një pushteti tjetër, por siç jeni dëshmitarë ju, me persistim, u arrit që ajo dritare të shndërrohet në dritaren e ferrit për Edi Ramën.

U arrit që ajo dritare të shndërrohet në dritaren e tmerrit për organizatën kriminale të qeverisë. Ata me ethe përcillnin çdo natë fjalën time, unë në fakt atyre ia drejtoja. Ju jeni dëshmitarë se si dritarja zëvendësoi parlamentin dhe Edi Rama në fjalimet e tij shprehte vrerin e papërmbajtur ndaj dritares. Pra, u vartësova unë prej tij apo ai tek unë, doli shumë e qartë.

Kështu që unë kthehem nesër në parlament në vazhdim të betejës sime gjer në fitore. Kjo është! PD është sot forcë politike e fitores dhe nuk ka gjë në botë që mund të ndalojë… Hapat janë të qartë, hapa të tjerë do vijnë. Edi Rama do marrë ata që meriton nga shqiptarët dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Prapë në betejë jemi. Gjer tani, ai në fakt u bë dritaro-dipendent. Po, lexoni fjalimet. Mendoi se do shpëtonte. Ra nga prushi në flakë”, u shpreh Berisha.

(BalkanWeb)