Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për Kuvendin që do të mbahet të shtunën, në ambientet e Stadiumit Air Albania.
Berisha tha se në këtë Kuvend nuk janë të ftuar vetëm delegatët, por të gjithë mbështetësit dhe anëtarët e thjeshtë të PD-së, të cilët do të bëhen bashkë për rithemelimin e kësaj force politike.
“Në 11 Dhjetor do të rithemelohet Partia Demokratike. Nga ky shesh, sheshi i historisë së madhe, ftoj të gjithë demokratët shqiptarë, ftoj të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar,. Ata që firmosën dhe ata që nuk kanë firmosur, të vijnë në 11 Dhjetor në Kuvend, që do të mbahet në Air Albania.
Do të mbahet aty sepse ne do t’iu japim mundësinë shqiptarëve të njihen me çdo delegat dhe çdo delegate që do të firmosë për rikthimin e pluralizmit politik. Do t’iu japim mundësinë të gjithë anëtarëve që të vijnë dhe të ndjekin këtë ngjarje madhështore të Dhjetorit të ri. Iu ftoj të brohorasim nder përjetë studentëve liberatorë. Iu ftoj të thërrasim Azem ti je gjallë”, tha Berisha.
Më herët gjatë fjalës së tij, në nder të Lëvizjes së Dhjetorit, Berisha e quajti Lulzim Bashën një Lulzim Bosh që ka çuar dëm djersën e derdhur nga demokratët në vitet e vështira të opozitës.