Të paktën 29 fëmijë dhe të moshuar kanë humbur jetën nga uria në Rripin e Gazës gjatë dy ditëve të fundit, bëri të ditur ministri i shëndetësisë i Autoritetit Palestinez, Majed Abu Ramadan.

Lajmi vjen ndërkohë që ofensiva ushtarake izraelite ka rifilluar me intensitet të shtuar, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 52 personave të tjerë që nga agimi i ditës së djeshme.

Situata humanitare në territorin e rrethuar vijon të përkeqësohet, megjithatë përpjekjet për të futur ndihma.

Sipas Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare të OKB-së (OCHA), rreth 90 nga afro 200 kamionë me furnizime ushqimore dhe mjekësore kanë hyrë në Gaza, por shpërndarja e ndihmave mbetet një sfidë për shkak të pasigurisë, rrezikut të plaçkitjeve dhe koordinimit të vështirë me autoritetet izraelite.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze raportoi se ndihmat ende nuk kanë arritur tek civilët dhe shumica e kamionëve janë bllokuar në pikën kufitare të Kerem Shalom.

“Asnjë civil nuk ka marrë ende asgjë. Kamionët janë të inspektuar, por jo brenda Gazës”, tha presidenti i organizatës, Younis al-Khatib, duke shtuar se rreziku i shpërthimeve të dhunshme dhe mungesa e logjistikës mund të çojnë në pasoja tragjike.

Mjekët dhe organizatat humanitare kanë paralajmëruar prej muajsh për përhapjen e kequshqyerjes në Gaza, ku furnizimi me ushqime është i kufizuar dhe çmimet janë rritur ndjeshëm. Mbyllja e furrave të bukës dhe mungesa e gazit për gatim kanë përkeqësuar më tej krizën.

“Vdekjet janë rezultat i drejtpërdrejtë i urisë”, theksoi ministri Abu Ramadan, duke sqaruar se viktimat përfshijnë si fëmijë ashtu edhe të moshuar.

Sipas një raporti të fundit nga Klasifikimi i Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC), rreth 71,000 fëmijë nën moshën pesë vjeç në Gaza pritet të jenë të kequshqyer në mënyrë akute, me mbi 14,000 raste të rënda të parashikuara gjatë 11 muajve të ardhshëm.

Ndërkohë që presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për të lehtësuar bllokadën është rritur, ndihmat që kanë filluar të arrijnë duken larg mjaftueshmërisë për të përballuar krizën në rritje.