Këshilli i Qytetit të Mynihut, aksioner në Aeroportin e Mynihut, do të vendosë nesër në lidhje me një peticion të dërguar nga organizatat gjermane në mbrojtje të mjedisit, mbi ndalimin e mbështetjes në projektin e aeroportit të Vlorës.

“Qyteti i Mynihut, Shteti i Pavarur i Bavarisë dhe Republika Federale e Gjermanisë duhet të ndërmarrin hapat e duhur dhe të tërhiqen plotësisht prej këtij projekti”, u shpreh Gabriel Schwaderer , drejtuesi ekzekutiv i organizatës mjedisore EuroNatur.

Organizatat mjedisore pohuan se kompania që operon Aeroportin e Mynihut (Flughafen Munchen Gmbh) është në rolin e kompanisë këshilluese në projektin e Aeroportit të Vlorës.

Aeroporti i Vlorës që po ndërtohet në fushën e Akërnisë pranë Zonës së Mbrojtur Nartë-Vjosë vijon punimet pavarësisht thirrjeve të aktivistëve mjedisorë për të ndaluar projektin që rrezikon vazhdimësinë e specieve në këtë peizazh të mbrojtur, por edhe sigurinë e fluturimeve potenciale.

Konventa e Bernës, Parlamenti Europian si edhe Komisioni Europian e kanë kritikuar këtë nisëm të qeverisë Shqiptarë për ndërtimin e aeroportit mes zonës së mbrojtur.

Peticioni i organizatave mjedisore EuroNatur dhe Bund Naturschutz i adresohet kryebashkiakut të Mynihut Dieter Reiter, duke i kërkuar të advokojë dhe të flasë me bordin mbikqyrës të kompanisë “Flughafen Munchen Gmbh” për t’u tërhequr nga projekti i Aeroportit të Vlorës.

“Agjenda e takimit të komitetit përgjegjës për ekonominë e qytetit ka rekomanduar refuzimin e peticionit”, shprehet Christian Hierneis, kreu i BUND Naturschutz Munich, një OJF në mbrojtje të mjedisit.

“Qytetit i Mynihut ka 23% të aksioneve të aeroportit të Munich-ut, nuk mund të shmangë përgjegjësitë. Edhe pse Shqipëria është larg, por kjo nuk do të thotë që ata duhet të mbyllin sytë përballë shkatërrimit të natyrës”, vijoi Hiernes.

Edhe Martin Geilhufe nga BUND Naturschutz pranoi se ekspertët e kësaj organizate kanë vizituar nga afër në terren punimet në zonën e mbrojtur, në vitin 2023.

“Ne I kemi parë nga afër në terren tufat e flamingove që jetojnë në lagunën e Nartës”, tha Geilhufe nga BUND Naturschutz, duke shtuar se nëse ky aeroport bëhet funksionat aeroplanët do të fluturonin pikërisht mes zonës së mbrojtur.

“I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të ndalojë këtë projekt të dëmshëm për mjedisin, dhe sipas nesh gjithashtu të paligjshëm”, përfundoi Gabriel Schwaderer, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore ndërkombëtare EuroNatur./BIRN