Ditët e sotme është e pamundur të gjesh një lokal apo kafene që e shërben kafenë pa e shoqëruar me biskota.

Kafe dhe biskota, është një kombinim perfekt. Një traditë e tillë ka nisur që në vitet 1600.

Biskotat e para mendohen të kenë origjinë në Perandorinë Persiane, kur sheqeri filloi të tregtohej.

Ky ushqim ishte kaq praktik në atë kohë, pasi nuk kishte nevojë të ruhej në vende të freskëta dhe nuk prishej.

Ka kaq shumë lloje nga mund të zgjedhim, por cilat janë biskotat më të mira për të shoqëruar kafenë?

Sigurisht që gjithçka varet dhe nga shija personale, por AgroWeb.org ju sugjeron një recetë perfekte që ta përgatisni kurdoherë.

Përbërësit që ju nevojiten për 1 kg biskota

4 gota uji me miell

1 filxhan çaji me sheqer

250 g gjalpë i freskët

2 kokrra vezë

Gjysmë luge çaji me sodë buke

1 filxhan kafeje kosi

2 lugë gjelle arra të grira

Përgatitja

Në një tas të madh shtoni vezët e sheqerin, dhe me ndihmën e telit të kuzhinës rrihini derisa masa që krijohet të jetë homogjene.

Më pas shtoni gjalpin e zbutur në temperaturë ambienti. Përsëri përzjejini derisa të gjithë përbërësit të bashkohen.

Shtoni sasinë e nevojitur të kosit e më pas miellin me sodën e bukës, duke e hedhur pjesë pjesë.

Përziheni masën derisa të jetë formuar një brumë i butë.

Pasi të keni pastruar tavolinën, spërkateni me shumë pak niseshte, dhe vendosni brumin e biskotave.

Punoni fare pak me duar brumin e formuar dhe me ndihmën e një petësi hapeni në formën e një pete rreth 4-5 cm.

Mund ta prisni në forma të ndryshme duke përdorur filxhanët e kafesë, gotat e ujit apo dhe thjeshtë me thikë duke i prerë në katrorë.

Ndërkohë merrni një tavë dhe lyejeni sipërfaqen e saj me gjalpë.

Merrni biskotat dhe vendosini me hapësirë nga njëra tjetra, sipër mund t’i lyeni me të verdhë veze e t’i spërkatni me arrat e grira.

Më pas mjafton t’i vendosni për t’u pjekur në furrë të parangrohur me 180 gradë Celsius përreth 10-15 minuta.

Pasi të jenë pjekur largojini nga tava dhe  vendosini në një pjatë që të ftohen.

Biskotat mund të ruhen përreth dy javë nëse i ruani në enë të mbyllura mirë. /AgroWeb.org