Një shtetas turk ka rënë në prangat e policisë pasi shiste flori dhe bizhuteri kontrabandë.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gold”. Kontrabandonte flori dhe bizhuteri floriri, për t’i shitur në Shqipëri, arrestohet në flagrancë shtetasi turk. Këtij shtetasi i sekuestrohen rreth 455 gramë flori, si dhe 35 000 euro dhe 16 200 dollarë, të përfituar nga shitja e sendeve me vlerë. Gjithashtu, identifikohet dhe procedohet penalisht shtetasi që shiste sendet me vlerë, për llogari të shtetasit turk.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të kontrabandimit të sendeve me vlerë, me qëllim shitjen në Shqipëri, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4 dhe me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin “Gold”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi turk B. A., 39 vjeç, banues në Stamboll, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. B., 58 vjeç, banues në Vlorë.about:blank
Nga kontrolli në automjetin që drejtonte shtetasi turk, në rrugën “5 maji”, u gjetën 455 gramë flori dhe bizhuteri floriri, të cilat dyshohet se ishin kontrabanduar me qëllim shitjen nga shtetasi S. B.. Mallrat pa fatura blerjeje, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 35 000 euro dhe 16 200 dollarë që iu gjetën 39-vjeçarit, automjetin dhe celularin e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
