Teksa në vendin tonë janë regjistruar vatrat e para të gripit të shpendëve, eksperti i Ministrisë së Bujqësisë Edi Ferro, thotë se nuk ka vend për panik, pasi kjo ndikon direkt në ekonomi dhe në menaxhimin e situatës.
Ferro thotë per Fax News se masat që merren menjëherë pas raportimit të rasteve me grip të shpendëve, kafshët duhet të groposen apo digjen nga ana e autoriteteve. Sipas Ferros në rast se zgjat pezullimi i importeve nga jashtë për shpendët dhe mishin e pulës, mund të ketë një mungesë në treg të këtyre produkteve.
Sa i takon konsumatorëve, ai iu bën thirrje atyre që të vazhdojnë të konsumojnë qoftë mish, qoftë vezë, pasi nuk ka asnjë rrezik për shëndetin e tyre.
“Është një virus që menaxhohet lehtësisht, është e rëndësishme që qytetarët të jenë të qetë në konsumin e produkteve. Është një situatë që do të kalojë, janë marrë masa dhe në çdo rast që do të ketë do të merren masa për asgjesimin e kafshëve duke i groposur. Është e rëndësishme që të mos krijohet panik, pasi krijon kaos të konsumatorët dhe krijon vështirësi në menaxhimin e situatës.
Ka një protokoll të miratuar për çdo sëmundje të tillë, kur dyshohet për një sëmundje të tillë, autoritetet shkojnë në vatrën e dyshuar, krijohet karantina dhe izolimi i vatrës, dhe përdoret një nga mënyrat e asgjësimit, qoftë përmes djegies dhe qoftë përmes groposjes.
Nuk ka asnjë rrezik për prekjen e qytetarëve, pasi zbatohen të gjithë elementët e biosigurisë.
Pjesa e gripit të shpendëve meriton një lloj shqetësimi, dhe autoritetet janë duke kryer të gjitha llojet e procedurave, ne nuk bëjmë eksport të shpendëve. Por problem mbetet importimi i zogjve që vijnë nga jashtë.
Nuk do të japë goditje finale pë fermerët, konsumatorët duhet të jenë të qetë, të vazhdojnë që të konsumojnë qoftë mishin qoftë vezët”, u shpreh Ferro.