Ukraina godet një bazë ushtarake ruse në jug të vendit.

Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra shtëpi janë dëmtuar nga bombardimet në qytetin rus të Belgorod pranë kufirit me Ukrainën. Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, raportoi disa shpërthime në qytetin me rreth 400,000 banorë, rreth 40 km në veri të kufirit me Ukrainën.

“Vdekja e civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile në Belgorod janë një akt i drejtpërdrejtë agresioni nga ana e Ukrainës dhe kërkojnë përgjigjen më të ashpër duke përfshirë atë ushtarak“, shkroi ligjvënësi i lartë rus Andrei Klishas në Telegram.

Moska e ka akuzuar Kievin për sulme të shumta në Belgorod dhe rajone të tjera në kufi me Ukrainën që nga sulmi i Rusisë më 24 Shkurt.

Ndërkohë, një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka pranuar se qyteti i vetëm i mbetur në rajonin e Luhanskut, Lysychansk ende nën kontrollin e Ukrainës ka qenë nën bombardime intensive në 24 orët e fundit.

Kryetari i qytetit të Melitopolit, Ivan Fedorov, i cili tashmë është nën kontrollin rus ka bërë të ditur se forcat e armatosura ukrainase kanë nisur 30 sulme dhe kanë shkatërruar një nga katër bazat ushtarake ruse të vendosura në qytet.