Sa i takon profilit të Shqipërisë në sektorin e bimëve medicinale dhe aromatike vlerësohet se 15 për qind e specieve kanë të tilla veti.

Në vitin e shpërthimit të pandemisë COVID-19 kërkesa për produkte të shëndetshme u rrit në mënyrë dramatike dhe këtë interes e ndjeu sidomos industria e bimëve aromatike e medicinale.

Një studim i mbështetur nga GIZ dhe Ministria e Bujqësisë tregon se dy nga produktet shqiptare më të kërkuara në tregje ishin boronica dhe molla e egër por për tregtarët kjo kërkesë në disa raste u shoqërua me humbje. Një pjesë e mirë kishin lidhur kontrata për boronicën me çmime më të ulëta sesa në fakt e blenë atë në tregun e brendshëm ku prodhimi ishte më i ulët sesa parashikohej. Studimi në fakt analizon të gjithë elementët për bimët medicinale si sektor duke e parë në këndvështrimin e nxitjes që mund t’i jepet sektorit përmes masave të IPARD III.

“Mbledhja dhe kultivimi i bimëve aromatike dhe medicinale për prodhimin e vajrave esencialë është rritur në mënyrë të konsiderueshme viteve të fundit. Gjethet e dafinës, lule makthit, sherebela, dhe kokrrat e dëllinjës janë kryesoret nga bimët aromatike dhe medicinale nga të cilat merret vaji esencial” thuhet në studim.

I njëjti vlerëson se mes luleve çaji i malit është ai që përfaqëson një nga prodhimet kryesore. Ai kultivohet kryesisht në zonën jugore dhe juglindore.

“Megjithatë, kultivimi i çajit të malit (Sideritis) nuk ka qenë shumë i suksesshëm. Humbja e cilësisë, jetëgjatësia e shkurtër e bimës së kultivuar në disa zona (p.sh. Devoll) (për shkak të niveleve të larta të lagështisë së tokës), dhe rënia e çmimit ka bërë që fermerët të braktisin kultivimin. Kultivimi qenë më mirë në zonat malore pranë Prespës dhe Gjirokastrës” raportohet në studim sipas përshtypjeve të marra nga palët e interesit.