Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me 84 vota pro këtë të enjte  projekt-rezolutën për gjenocidin e Srebrenicës. Draft-rezoluta ka për qëllim të shpall 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.

Votimi: 84 pro, 68 abstenime dhe 19 vota kundër.

OKB-ja, siç thuhet në draft-rezolutë, dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si fakt historik dhe u bën thirrje shteteve anëtare të ruajnë faktet, përfshirë përmes sistemeve arsimore duke zhvilluar programe të përshtatshme.

Në tekst po ashtu theksohet rëndësia e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të mbetjeve mortore të viktimave të gjenocidit në Srebrenicës, në mënyrë që ata të varrosen në mënyrë të dinjitetshme

Gjermania dhe Ruanda janë formuluan rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Më pas, 32 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara u bënë bashkësponsorizuese, si vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të OKB-së.

Për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë të paktën 8 mijë e 372 burra, dhe për krimet e tjera të kryera në këtë rajon, janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burgim.