Mesazhe ngushëlluese dhe mbështetjeje kanë vërshuar nga e gjithë bota në adresë të princeshës Kate në Britaninë e Madhe, pasi ajo zbuloi se vuante nga kanceri dhe se po i nënshtrohej kimioterapisë. Mbreti Charles i 3 tha se ishte krenar për guximin e Katherine, në një deklaratë të publikuar nga Buckhingam Palace. Mbreti, i diagnostikuar gjithashtu me kancer, thotë se është në kontakt të ngushtë me “nusen e tij të dashur”, siç e cilëson.
Pas spekulimeve disa javore dhe misterit të ushqyer nga mediat, mbi gjendjen e saj, Kate u shfaq në një video emocionale pasditen e së premtes, duke shuar më në fund kureshtjen e publikut me një njoftim tronditës.
“Në janar, iu nënshtrova një operacioni të madh abdominal në Londër dhe në atë kohë mendohej se gjendja ime nuk ishte kancerogjene. Operacioni ishte i suksesshëm. Megjithatë, testet më pas zbuluan se kisha kancer. Ekipi im mjekësor më këshilloi t’i nënshtrohesha ciklit të kimioterapisë parandaluese dhe tani jam në fazat e hershme të atij trajtimi”, tha ajo.
Edhe Duka e Dukesha e Sussex, Harry dhe Meghan, i përcollën një mesazh kunatës së tyre. “Urojmë shëndet dhe shërim për Kate dhe familjen, duke shpresuar që do te jenë në gjendje ta bëjnë këtë privatisht”, thuhej në deklaratën e tyre.
Kryeministri Rishi Sunak e vlerësoi bashkëshorten e Ëilliam për guximin që kishte treguar përballë, mbulimit agresiv mediatik gjatë këtyre javëve.
Lajmi erdhi 6 javë pasi mbreti Charles pezulloi daljet e tij publike pasi gjithashtu u diagnostikua me kancer. Të dy ata u trajtuan në të njëjtën kohë në një spital privat të Londrës, ku Katherine iu nënshtrua një ndërhyrje abdominale ndërsa Mbreti një procedure për prostatën e zmadhuar. Pallati Kensington nuk e ka zbuluar llojin e kancerit nga i cili vuan Princesha, por shprehu bindjen se do të shërohet plotësisht.