Pas fundit të aventurës me Milan, ekipet më me zë të Evropës janë vendosur në radhë për të siguruar shërbimet e Gianluigi Donnaruma.

Portieri, i konsideruar si një nga më të mirët në botë për rolin e tij, është ‘joshur’ nga Paris Saint Germain me një ofertë prej 10 milionë euro në sezon. Sipas mediave italiane, Donnaruma është duke reflektuar për ofertën, por nuk duhet harruar që ai ka si agjent, Mino Raiolën, me të cilin është shumë e vështirë të arrish një akord, nëse ai nuk është i kënaqur.

Por mediat e cilësojnë si të kryer transferimin, madje shtojnë se vullneti i PSG, është që ta ketë sa më shpejt lojtarin në organikën e tyre.

Duhet për t’u theksuar se në rolin e portierit, PSG ka Keylor Navas, i cili ka bërë mjaft mirë gjatë qëndrimit në Paris, por mosha e tij, bën të mendosh për Donnarumën, i cili ndonëse vetëm 22 vjeç, është një siguri në portën e cilësdo skuadre.