Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte i ftuar në forumin për integrimin organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare.  Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të shoqërisë civile, Basha preku çështjet kryesore të integrimit si dhe shpalosi me detaje programin e Partisë Demokratike, të cilin ai u angazhua për ta zbatuar në qeverisjen e tij pas 25 prillit.

Sipas Bashës, 25 prilli nuk është vetëm një moment elektoral, por një udhëkryq ku do të vendoset e ardhmja europiane e Shqipërisë.

“25 prilli nuk është thjesht një garë elektorale, por është dhe një udhëkryq me të cilin do të vendoset nëse Shqipëria do të çojë deri në fund rrugëtimin e saj europian, do ta arrijë destinacionin e saj europian apo do të mbetet në vendnumëro siç ka mbetur këto 8 vite. Ne do të bëjmë gjithçka për të çuar përpara rrugëtimin europian të Shqipërisë. 8 vite më parë e nisëm rrugëtimin me tre kushte, ndërsa sot nga tre, kjo qeveri dhe ky kryeministër i ka çuar në 15 kushte. 

Për shkak të politikave të kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri, shqiptarët po humbin fonde, fermerët po humbin financime, studentët po humbin mundësi, teknologjia e informacionit, inovacioni dhe në tërësi sipërmarrja shqiptare, po kështu po humb oportunitete të jashtëzakonshme”, – tha Basha gjatë bisedës me përfaqësuesit e shoqërisë civile pjesmarrës në këtë forum.

Për kreun e opozitës kjo situatë ka ardhur për shkak se qeveria nuk ka pasur interes integrimin e vendit, por interesat personale. Ndërkohë që u zotua se prioriteti numër një në procesin e integrimit do të jetë hapja reale e negociatave.

“Këtu kemi të bëjmë me një shpërfillje totale, jo thjesht të interesit për ta futur Shqipërinë  në BE për të avancuar në rrugën drejt BE, por një shpërfillje totale dhe një lënie pas dore të interesave elementare të shqiptarëve vetëm për hir  të interesave personale, apo të një grushti njerëzish. Angazhimi im është që brenda 6 muajve të parë ne do të bëjmë realitet Konferencën Ndërqeveritare dhe do të nisim realisht procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për ne, për Partinë Demokratike, për mua, Shqipëria europiane fillon me qeverisjen e mirë. Zbatimi do të jetë fjala kyçe e reformave të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Unë dhe Partia Demokratike vijmë nga një trashëgimi bindëse në zbatimin e reformave që kanë sjellë ndryshime rrënjësore dhe që kanë lënë gjurmë të prekshme për qytetarët shqiptarë. Liberalizimi I vizave në 2 vite e gjysmë, sepse u përmbushën 150 kushte që lidheshin me fushat kyç. Shqipëria në këto 8 vite ka ngecur në vend dhe në fakt “ka ngecur në vend”. Sot kryeson listën e vendeve që kërkojnë strehim në Europë, bashkë me Sirinë, Irakun dhe Afganistanin”, – deklaroi Basha duke shprehur qartë angazhimin kyresor të qeverisë së tij sa i përket anëtarësimit në BE.

Basha preku edhe plagën më të madhe të Shqipërisë këto kohë, emigracionin masiv sidomos atë të të rinjve. Për të frenuar këtë eksod, Basha tha se duhet thithur investimet e krijimi i vendeve të punës që të rinjtë të punojnë këtu e jo të ikin jashtë.

“Për çdo të ri që largohet nga Serbia, largohen 12 të rinj nga Shqipëria. Po ju citoj drejtpërdrejt atë  që më thanë në Berlin: 3 miliard euro investime kemi në Maqedoninë e Veriut, 300 milionë në Shqipëri. Ka nevojë për shpjegim?! “Nuk ka nevojë zoti kryetar i opozitës”, -tha . Më shpjegoni se çfarë po shkon keq me vendin tuaj, se ne jemi Ministria Gjermane e Ekonomisë  dhe ne na mjaftojnë këto dy shifra për të kuptuar se ku jeni ju. 3 miliardë euro  investime në Maqedoninë e Veriut, 300 milionë në Shqipëri. 10 herë më pak! 

Bëhet fjalë për linja prodhimi, për fabrika, bëhet fjalë për transfertë teknologjike, bëhet fjalë për trajnim të krahut të punës, trajnim të kualifikuar, arsim profesional dual. Ka një përgjegjës dhe ndreqja e problemit fillon me largimin e këtij përgjegjësi me 25 prill dhe rikthimin e besimit tek politika dhe tek institucionet, se nuk ka instrument tjetër për të shëndoshur shoqërinë. 

2 janë prioritetet që unë kam parashtruar me Berlinin zyrtar. Prioriteti i parë është zbatimi në kushtet e Shqipërisë i modelit të trajnimit masiv të rinisë shqiptare përmes edukimit dual. Nevoja për programues në Gjermani është mbi 80 % e 500 mijë programuesve që kërkon gjithë Europa. Interesi i korporatave të tyre, po marr një fushë vetëm, për të zhvendosur një pjesë të programimit në Europën juglindore ka çuar që vetëm në Serbi nga 40 mijë të punësuar të para dy viteve, 21 mijë të jenë në këtë sektor. 

E dyta që kam kërkuar është ndihmë në investimet private por edhe në bashkëpunimet me investimet publike që i takojnë Shqipërisë për sa i përket infrastrukturës fizike për këtë. Deri më sot ka ndodhur e kundërta. Porti i Hamburgut që është pikë referenciale botërore është përzënë nga porti i Durrësit. Porti i Hamburgut apo i Roterdamit duhet të ishin partnerët natyral të portit të Durrësit. Këto janë dy prioritetet kryesore, infrastruktura ta përmbledh me dy fjalë dhe arsimimi dual.”

Kryetari i PD, foli edhe për angazhimin e tij për të ndërtuar një shtet në 5 shtyllat e demokracisë, të shkëpuatur nga krimi dhe që garanton zbatimin e ligjit e Kushtetutës.

“Këto janë 5 shtyllat e demokracisë: Një parlament i cili përfaqëson interesin e qytetarëve, i pastër nga krimi, i shkëputur nga lidhjet kriminale, që e mban qeverinë përgjegjëse dhe nuk është manar i qeverisë, një drejtësi e pavarur e cila garanton zbatimin e ligjit, media e pavarur që bën transparencën, një opinion publik i shëndoshë aktiv. Hapat e menjëhershëm besoj jua shpjegova. 

Megjithatë nuk është momenti tani por shumë shpejt, shumë shpejt, brenda këtij viti do t’iu përvijojmë shqiptarëve horizontin e një kushtetute të re. Horizontin e një kushtetute të re e cila të japë zgjidhje afatgjata për mos përqendrimin e pushtetit, për ndarjen dhe balancimin e pushtetit, për trios politika, për pavarësinë e institucioneve të pavarura, për fuqizimin e institucioneve dhe dobësimin e influencës në kuptimin malinj të fjalës politike mbi institucionin. 

Pa diskutim që do të jetë një ushtrim kombëtar i cili duhet të na përfshijë të gjithëve, kundërshtarin politik nesër në opozitë, shoqërinë civile dhe gjithë ekspertizën e domosdoshme kombëtare dhe ndërkombëtare për ti dhënë shqiptarëve një tjetër kornizë të lojës kushtetuese ku mos ketë më xhepa për autoritarizëm, për abuzivizëm apo për t’i dhënë goditje pothuajse vdekjeprurëse kolonave kryesore të kontrollit dhe të balancës së pushteteve”, – deklaroi Basha.

Gjatë këtij forumi u prekën edhe çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit europian dhe çështjet më të rëndësishme politike e ekonomike në vend. Basha u shpjegoi përfaqësuesve të Shoqërisë Civile detajet e programit qeverisë të prezantuar nga PD dhe garantoi ata dhe qytetarët shqiptarë se bëhet fjalë për një plan me angazhime konkrete dhe jo premtime boshe.

Fax news