Erion Murataj PSD

Delegacionet ruse dhe amerikane kanë filluar bisedimet në Riad për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë, siç njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass.

Takimi nis vetëm pak orë pasi forcat ajrore të Ukrainës njoftuan se kishin rrëzuar 57 nga 99 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës. 36 drone të tjerë nuk arritën objektivat e tyre, sqarohej më tej në një postim në Telegram për sulmin rus që preku rajonet e Kievit, Kharkiv, Sumy, Kirovohrad dhe Zaporizhias.

Forcat ukrainase po ashtu kanë rrëzuar edhe katër helikopterë të Forcave Ajrore ruse në rajonin e Belgorodit, njoftuan Forcat e Operacioneve Speciale të Ushtrisë së Kievit.

Kremlini përmes zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, tha se SHBA dhe Rusia kanë një “dëshirë” dhe “vullnet” për të lëvizur drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në Ukrainë, por gjithashtu se “në përgjithësi, natyrisht, ka ende shumë aspekte të ndryshme që lidhen me marrëveshjen për të cilat duhet të punohet”.

“Uashingtoni mund të monitorojë shkeljet e marrëveshjes për të mos synuar infrastrukturën energjetike, duke përfshirë termocentralet bërthamore, dhe të nxjerrë përfundime. Ne po e monitorojmë nga afër situatën. Në fakt, edhe homologët tanë amerikanë kanë mundësinë ta ndjekin atë dhe të nxjerrin përfundime përkatëse”, shtoi Peskov.

Ndërkohë, Kina mohon që trupat e saj mund të marrin pjesë në një operacion paqeruajtës në Ukrainë pasi të arrihet një armëpushim.

“Këto janë raporte krejtësisht të rreme. Pozicioni i Kinës për krizën në Ukrainë mbetet i qëndrueshëm dhe i qartë”, u përgjigj zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Guo Jiakun atyre që pyetën nëse Pekini po konsideronte dërgimin e trupave në Ukrainë dhe në çfarë kushtesh, sipas një raporti të Welt am Sonntag të shtunën.

Sipas gazetës gjermane, disa zyrtarë të Pekinit kishin diskutuar në Bruksel mundësinë e bashkimit të Kinës me forcat paqeruajtëse në Ukrainë.