Një video e krijuar me Inteligjencë Artificiale që paraqet një “përleshje fizike” mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortes së tij, Brigitte Macron, është bërë virale në rrjetet sociale, duke nxitur reagime dhe keqkuptime.
Pamjet e manipuluara tregojnë çiftin presidencial në një skenë të inskenuar, ku Brigitte duket sikur godet fytyrën e Macron gjatë zbritjes nga një avion në aeroportin e Vietnamit.
Në realitet, incidenti i vetëm i regjistruar ndodhi kur Brigitte, në mënyrë të pavullnetshme, preku fytyrën e presidentit në çastin kur dera e avionit u hap. Më pas, ajo refuzoi t’i zgjaste dorën burrit të saj, duke zbritur e vetme nga shkallët.
Ngjarja e vërtetë u përshkrua nga një këshilltar i afërt i Macron si “një lojë e zakonshme mes çiftit”, pa ndonjë tension real. Megjithatë, videoja e manipuluar me AI është shfrytëzuar për të krijuar përshtypjen e një konflikti, duke nxitur spekulime në publik dhe media.