Pas një vere pakënaqësish publike përmes protestave kundër strehimit të emigrantëve nëpër hotele të inspiruara nga partia e Brexit, “Reforma” e Nigel Farage por edhe nga konservatorët e opozitës, që do duhet të mbajnë përgjegjësinë më të madhe për situatën katastrofale që u lanë në prehër Laburistëve, që nga ekonomia e deri tek emigracioni, kryeministri Starmer, një vit e disa muaj pas ardhjes në pushtet dukshëm po operon nën një presion të madh nga sondazhet e opinionit publik.
Kështu shpjegohen jo vetëm ndryshimet në kabinetin e tij të ngushtë të këshilltarëve e drejtuesve të punëve të qeverisë, e drejtorash komunikimi me emra ta panjohur, që duken për analogji futbolli si kombëtarja e Anglisë në kohën e trajnerit të ndjerë suedez Erikson, me mesfushorë të talentuar që nuk dinin të luanin dot me njëri-tjetrin.
Po ashtu duken edhe njoftimet më të fundit në politikën e emigracionit si masat frenuese që synojnë të forcojnë kontrollin mbi emigracionin dhe azil-kërkimin.
Argumentueshëm lëvizje të tilla ndërkohë që shihen si reflektim ndaj rrethanave të krijuara, për shkak të pafuqisë së shtetit që të frenoj valën e kalimeve të paligjshme me gomone në La Mansh, ç’ka është normale në një politikë funksionale, shqetësim ka për braktisjen e vlerave që përcaktojnë të majtën evropiane dhe atë britanike ndaj respektimit të drejtave themelore të njeriut dhe konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve.
Padyshim ndikimi vjen nga presioni në rritje i retorikës dhe narrativës ksenofobe dhe anti-emigracion të atyre që kërkuan largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, që po shfrytëzojnë pakënaqësinë dhe frustrimin e britanikëve te të thjeshtë me impotencën e këtyre dy dekadave të fundit për të frenuar mbërritjen e paprecedentë në brigjet angleze të disa qindra mijërave emigrantëve, sidomos me rrugën e re ende të pakontrolluar nga deti përmes kufirit mes Anglisë dhe Francës.
Pavarësisht nga oportunizmi politik i aspirantëve të pushtetit, ashtu edhe mosefektiviteti i atyre që u është deleguar ky pushtet në zgjedhjet e fundit, e vërteta është se Britania me politikat e saj po ashpërson gjithnjë e më shumë qëndrimin ndaj të huajve dhe atyre që vijnë të kërkojnë strehim në këtë vend, i cili nuk e ka njohur kurrë fjalën deportim ne fjalorin e saj politike dhe civil.
Kështu vepruan konservatoret nga frika elektorale dhe populizmi i brex-isteve, kështu po ndodh edhe me laburistët, nën presionin e rrugës dhe sondazheve që do ndryshonin thellësisht tablonë politike në Britani, nëse do zhvilloheshin sot zgjedhjet e reja, të planifikuara për në 2029-ën.