Kryengociatorët e Kosovës dhe Serbisë, diskutuan një deklaratë për të pagjeturit, njohjen reciproke të diplomave, mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Asociacionin.

Kryenegociatorët e Serbisë dhe Kosovës, Petar Petkoviç dhe Besnik Bislimi, u dakorduan në Bruksel për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur. Kjo deklaratë pritet të miratohet në takimin e radhës së nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Presidenti Vuçiç. Ky takim pritet të mbahet në fund të prillit me datë 22.04, ndonëse nuk është konfirmuar ende.

“Kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, tha Petar Petkoviq, pas takimit tre palësh ku mori pjesë edhe i ngarkuari i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në këtë takim është diskutuar edhe për çështjen riregjistrimit të veturave të serbëve me targa KM dhe shndërrimin e tyre në RKS, tha kryenegociatori i Kosovës, Bislimi.

“Kemi raportuar që deri në fillim të marsit ka pasur një zhvillim të mirë. Por pas kërcënimeve dhe djegieve të veturave, nuk ka pasur vetura të regjistruara”, tha Besnik Bislimi, duke mos e pranuar një propozim të serishëm të palës serbe që Kosova të mos vendosë masa ndaj atyre që nuk riregjistrojnë veturat me targa RKS. Në takimin në Bruksel, është biseduar edhe për energjetikën dhe se është rënë dakord që bisedimet e mëtutjeshme të zhvillohen me KEDS-in për shërbimet e distribucionit.

Asociacioni

Një ndër temat në takimin ndërmjet Bislimit dhe Petkoviç, ishte edhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Pas kaq vitesh diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit trepalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit të Asociacionit”, tha Petar Petkoviç.

Në Bruksel, para takimit Petkoviç-Bislimi që ishte i pari pas marrëveshjes së 18 marsit në Ohër, u takuan edhe ndërmjetësi i BE-së në dialog Mirosllav Lajçak dhe Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet. Ky i fundit shkroi në Twitter, se në këtë takim është diskutuar “për mbështetjen tonë të fortë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përkushtimin e përbashkët për ta mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”.

Takimi në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, u mbajt nën hijen e frikës së ringritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Zyrtarë të Bashkimit Evropian, thanë se “BE shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në dialog. Javën që shkoi dhe gjatë vikendit, në veri të Kosovës u dogjën disa vetura të qytetarëve serbë që bartnin tabela me inicialet e Kosovës, (RKS). Policia e Kosovës arrestoi një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut më 1 prill në kuadër të një aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e kryerjes së veprave kriminale. Policia tha se pas hetimeve intensive, arrestoi një person të dyshuar për djegien e veturave të serbëve. Sipas policisë i arrestuari dyshohet për disa vepra penale, përfshirë këtu pjesëmarrjen në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës, “pjesëmarrje apo organizim të grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

about:blank

Ky arrestim nxiti reagimin e listës Srpska që e ka mbështetjen e Beogradit, e cila tha se “Prishtina zyrtare po malltreton popullin serb në veri, të cilët do të reagojnë me zemërim”. Veprimet e djegies së veturave të serbëve, u dënuan ashpër nga autoritetet e Prishtinës dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Edhe Lista Srpska është kritikuar për shkak se nuk po dënon këto akte të dhunshme./DW