Erion Murataj PSD

Ikona muzikës e rok, këngëtari nga Kanadaja Bryan Adams vjen për herë të parë në Shqipëri. Tirana është ndalesa e fundit e turit në rajon të artistit, që në 2 maj do të performojë për publikun shqiptar, që ndër vite kanë dëgjuar e madje mësuar përmendësh hitet e tij.

“Është një tur i veçantë i tij që është në versionin akustik, është ai me kitarë dhe piano, do të përformojë hitet e tij më të njohura të karrierës. Do të jetë një koncert i veçantë dhe shumë emocional, i përket një kategorie muzike që duhet ta shijosh. Do të jetë një koncert 2 orësh me emocione”, tha Klodian Makashi, organizator i eventit.

Me një format që ka magjepsur audiencat në mbarë botën, zëri unik i Adams do të jehojë në Pallatin e Kongresit. Koncerti Bare Bones premton një natë të paharrueshme me muzikën që ka shoqëruar breza të tërë.

Me hitet si Heaven, I Do It for You apo Run to You, artsti ka rrëmbyer zemrat e miliona fansave në mbi katër dekada karrierë. Ndër vite, Bryan Adams ka fituar çmime prestigjioze, përfshirë Grammy, American Music Awards si dhe ka pasur nominime të shumta për Academy Award dhe Golden Globe.