E ardhmja e ‘Gigi’ Buffon në futboll është pezull. Portieri, i cili ka kontratë me Parmën deri në vitin 2024 dhe do të mbushë 46 vjeç janarin e ardhshëm, aktualisht po vlerëson se çfarë të bëjë: të zgjedhë Arabinë Saudite, të vazhdojë te Parma apo të tërhiqet nga futbolli. Këto janë hipotezat e ngritura nga “Sky Sport Italia”.

Sezoni i fundit e ka vënë në dyshime. Dëmtimet e kanë penguar, për shembull, që të përfundojë dy ndeshjet e fundit gjysmëfinale të “play off”. Parma humbi ndaj Cagliari dhe nuk u kthye dot në Serie A, gjë e cila ishte ambicia e madhe e portierit nga Carrara. Buffon donte ta kthente klubin e tij të parë në elitën e futbollit italian.

Siç sqarojnë mediat, tani për tani portieri ndodhet me pushime në Sardenjë dhe ende nuk i është bashkuar skuadrës së Parmës. Ai ka leje nga klubi për të vlerësuar të ardhmen e vet. Buffon ka një kontratë me klubin e Emilio Romagna, por në tavolinë ka oferta shumë të pasura nga Arabia Saudite, që e kanë tunduar.

Megjithatë, për arsye familjare ai gjithashtu mund të refuzojë propozimin arab dhe të zgjedhë të tërhiqet nga futbolli. Gazetarë si Di Marzio pohojnë nga Italia se hipoteza e tërheqjes është më e mundshme për momentin. Kështu, ai do t’i jepte fund një karriere të gjatë prej 28 vitesh.