Kërkesa për të vendosur tre fasha për çmimin e energjisë elektrike në furrat e bukës, në varësi të produkteve që prodhojnë do të nisë të shqyrtohet të martën nga Enti Rregullator i Energjisë. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kërkon që furrat që bëjnë vetëm bukë çmimi të mbetet 7.6 lekë për kilovat-orë, ndërsa ato që prodhojnë edhe ëmbëlsira të paguajnë 9.5 lekë. Propozimi i OSHEE parashikon që furrat që shërbejnë edhe si kafene të paguajnë 12 lekë për çdo kilovat-orë energji të konsumuar.
“Duhej! Madje është e vonuar. Ka shumë kohë që abuzohet në këtë drejtim dhe nisma e OSHEE duhet mbështetur”, tha Azmer Duleviç, inxhinier elektrik.
Për inxhinierin elektrik Azmer Duleviç, për ato furra buke që shërbejnë edhe si bar-kafe mund të aplikohej një çmim edhe më i lartë se 12 lekë për çdo kilovat-orë energji të konsumuar.
“Duhet të ketë një diferencë. Se shet dy byrek e dy panine e pjesën më të madhe e ka si aktivitet nuk mund të paguajë 12 lekë. Duhet 14 pasi përndryshe dëmtohet konkurrenca”, shtoi ai.
Po a do të sjellë rritje të çmimit të bukës apo kategorive të tjera të produkteve që furrat prodhojnë në ERE miraton kërkesën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike?
“Nuk ka arsye dhe nuk duhet. Nëse do të ndodhë do të jetë spekulim i pastër i bizneseve në këtë sektor”, përfundoi Duleviç.
Aktualisht në gjithë vendin janë rreth 4 mijë furra buke në vend që e paguajnë energjinë elektrike me çmim të favorizuar prej 7.6 lekë/kWh.