Vuajtja e dënimit për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri nis që ditën e sotme. Tahiri do të dalë nga salla e gjyqit me pranga në duar, për t’u transferuar më pas në një burg të sigurisë normale.

Duke qenë se Tahiri është i pranishëm në seancë, vendimi i Apelit është i ekzekutueshëm menjëherë. Gazetarët janë nxjerrë nga salla e gjyqit menjëherë pas dhënies së vendimit.

I lejohet rekursi në Gjykatën e Lartë, por kjo nuk e shpeton nga vuajtja e dënimit. Rekursi në Gjykatën e Lartë mund të bëhet vetëm pas zbardhjes së vendimit të Apelit të Posaçëm. Kjo duhet të ndodhë brenda afatit 45 ditor.

“Momentalisht zoti Tahiri ndodhet në ambientet e gjykatës së posaçme, ku Policia, menjehrë sapo të marrë masën, do të ekzekutojë vendimin. Pas kësaj, ai nuk do të jetë më njeri i lirë, por do të transferohet në një burg të zakonshëm”, tha gazetari i Fax News, Elis Myrta.

Ditën e sotme, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj ish-Ministrit Saimir TahirI, por me një ndryshim, që 3.4 vite nuk do jenë shërbim prove por do të vuajë dënim në burg.

Prokuroria e Krimeve të Rënda dënoi në datë 19 shtator 2019 ish-Ministrin Saimir Tahiri me 5 vite burg, që përshkak të gjykimit të shkurtuar u përkthyen në 3.4 vites hërbim prove. Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar në fakt 12 vite burg për Tahirin, të cilin e akuzonte për 3 vepra penale: “Abuzim me detyrën”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafik ndërkombëtar droge”.

Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi vetëm akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’, duke rrezuar dy akuzat e tjera. Mirëpo, SPAK nuk ka rënë dakord me këtë vendim te vitit 2019 dhe kërkoi dënimin me 12 vite burg për Tahirin. Ky i fundit gjithashtu kishte apeluar vendimin e Krimeve të Rënda, duke kërkuar pafajësinë në Apelin e Posaçëm.

Ditën e sotme, pas 4 orësh seancë, Apeli i Posaçëm vendosi dënimin e Tahirit me 3.4 vite burg, përshkak të provimit të lidhjes së tij me grupin e Habilajve. Menjëherë pas dhënies së vendimit, Tahiri do të prangoset dhe do të dërgohet në burgun 313 në kryeqytet.