Gruaja që shihni në foto është Vitore Pacuku, e cila thuhet se është vrarë aksidentalisht nga burri i saj me pistoletë. Ngjarja në fjalë ndodhi dje në fshatin Jezull të Mirditës. Paulin Pacuku akuzohet se ka qëlluar me armë aksidentalisht gruan, teksa po pastronte armën, para se të shkonin në një ceremoni martesore.
54-vjeçarja, ndonëse u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, nga të afërmit e saj, si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën. Ndërkohë, 61-vjeçari u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Mirditë, për të dhënë sqarime se si ndodhi ngjarja, ndërsa arma e zjarrit pistoletë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndonëse në komunikatën e policisë thuhet se ngjarja është aksidentale, burime bëjnë me dije se familjarët e viktimës, janë në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa kanë kërkuar që kjo procedurë të kryhet nga mjekë në Tiranë, për të vërtetuar se si ka ndodhur ngjarja. Çifti ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë të rritur. Aktualisht policia po heton rreth ngjarjes.