Televizioni kristiano-konservator “CBN News”, ka hedhur aludime të forta nëpërmjet intervistës me autorin bestselling të New York Times, Joel Richardson, në lidhje me evakuimin që mbeti përgjysmë – rrugës për në Shqipëri.

“Situata shkoi deri në pikën ku autoritetet shqiptare kishin dhënë aprovimin për një aeroplan plot me refugjatë dhe ata ishin dukë përshkuar itinerarin, por Departamenti i Shtetit (DASH) refuzoi t’i linte ata të uleshin. Atyre ju desh të ktheheshin nga rruga e tyre. Pra, ajo që po dëgjoni në lajme sa i takon këtij, ‘evakuimi të madh’, kundrejt asaj që ne po shihnim në terren, ishte si nata me ditën”, deklaroi Richardson për CBN News.

Joel Richardson me Ministritë Globale Katalitike (mision i vendosur në Afganistan për ‘kthimin’ e besimtarëve), thotë se përpjekjet e tyre të shpëtimit u përballën me atë që ndjehej si “ndërhyrje e qëllimshme” në çdo hap të rrugës nga DASH.

Lidhur me këtë informacion të zbuluar rishtaz, Albanian Post kontaktoi me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shqipëri, por nuk ka ende një përgjigje përsa i përket rastit.

CBN citon Departamentin e Shtetit që thotë se “misioni ushtarak në Afganistan është i plotë dhe fokusi tani po kalon në diplomaci”.

Por për qindra amerikanë dhe mijëra aleatë afganë që ende kërkojnë të largohen nga vendi, lufta nuk ka përfunduar.

“Njerëzit po vdesin tani dhe shumë të tjerë do të vdesin sepse nuk mund të dalin nga atje, ku janë të bllokuar”, tha republikani Michael McCaul për CBN News.

Paralelisht, “NBC News” raportoi për dy afganë që janë ndaluar nga autoritetet amerikane e që do të kthehen sërish në Kosovë.

Kjo, për shkak të shqetësimeve të sigurisë të ngritura pasi ata mbërritën në një aeroport amerikan, thanë dy burime të njohura me evakuimin amerikan.

Afganët do t’i nënshtrohen një rishikimi të mëtejshëm në Kosovë.

Burimet paralajmëruan, megjithatë, se zyrtarët federalë po veprojnë me shumë kujdes.

Nëse një person mbahet shënim – nuk do të thotë se ata janë terroristë apo përbëjnë një kërcënim, sqaron NBC-ja.

Diçka në profilin e tyre – emri, prejardhja ose një numër në celularin e tyre – ngre shqetësime të mjaftueshëm saqë nuk mund të lejoheshin të qëndronin në Shtetet e Bashkuara.

“Shumë njerëz u zhvendosën shumë shpejt dhe komuniteti i inteligjencës ka punuar shumë për të vlerësuar nëse ndonjë prej tyre paraqet kërcënim”, tha një zyrtar i lartë i zbatimit të ligjit federal për NBC-në.

Sipas zyrtarit amerikan, disa nga verifikimet ndodhin kur ata janë jashtë shtetit, dhe disa prej tyre ndodhin në tokën amerikane.

Çdo evakuim tjetër që shkakton shqetësime të ngjashme do të dërgohet në Kosovë, thanë burime.

fax