Ish kryedemokrati, Lulzim Basha ka bërë thirrje ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi për t’u regjistruar në censusin që po mbahet aktualisht nga shteti serb. Nëpërmjet një postimi në facebook, Basha shkruan se regjistrimi i shqiptarëve ishte kundërpërgjigjia më e mirë ndaj politikave diskriminuese të Beogradit.
Postimi i Plotë nga Lulzim Basha:
Të dashur motra dhe vëllezër të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, ka nisur regjistrimi i popullsisë dhe kombësisë në komunat tuaja.
Sot thirrja ime vëllazërisht është për të gjithë shqiptarët që jetojnë në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që të bëjnë gjithçka për të regjistruar veten e familjarët e tyre.
Regjistrimi juaj është kundërpërgjigja më e mirë për politikat diskriminuese të Beogradit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Përmes regjistrimit tuaj dhe të familjarëve tuaj, ju jepni kontributin tuaj të pazëvendësueshëm për të ndalur efektet e projektit të spastrimit etnik përmes pasivizimit të adresave. Në këtë mënyrë ju i dëshmoni botës realitetin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, përkundër përpjekjeve të mbrapshta për ta zhbërë atë.
Ndaj është e një rëndësie vendimtare dhe përgjegjësi e lartë kombëtare që çdo shqiptar i Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që jeton në këto komuna, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut apo diasporë, të bëjë gjithçka për t’u regjistruar.
Ndërkohë kujtojmë se Basha ende nuk ka reaguar sa i përket deklaratës së deputetit të PD-së, Edmon Spaho për një audit ndaj ish kryedemokratit i cili pritet të pyetet mbi lajmet që qarkullojnë për financime ruse ndaj PD.