Presidenti amerikan Joe Biden mori pjesë në ceremonitë për 80-vjetorin e Zbarkimit të Aleatëve në Evropë në Normandi të Francës. Duke folur përpara udhëheqësve botërorë dhe veteranëve amerikanë të Luftës së Dytë Botërore, presidenti amerikan bëri thirrje për ta vazhduar mbrojtjen e lirisë, duke qëndruar në mbrojtje të Ukrainës dhe duke mos u dorëzuar përballë agresionit të Rusisë.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte Macron mbërritën së bashku me Presidentin amerikan Joe Biden dhe zonjën e parë Jill Biden për ceremonitë në varrezat amerikane në Normandi. Udhëheqës botërorë, veteranë dhe vizitorë përkujtuan në ceremoni të shumta në brigjet franceze Ditën e Zbarkimit të aleatëve në Evropë 80 vite më parë.

Ju kishit familje, miq, bashkëshorte, ndonjëherë edhe fëmijë. Patët ëndrra, plane për të ardhmen. Dhe ju latë gjithçka, kaluat oqeanin dhe zbritët në brigjet e Francës tetë dekada më parë. Latë gjithçka dhe rrezikuat gjithçka për pavarësinë tonë, për lirinë tonë. Ne nuk do ta harrojmë këtë. Ju faleminderit”, tha presidenti francez Macron.

Presidenti amerikan Joe Biden foli për betejën ndaj tiranisë dhe përshëndeti kurajon e bashkëkombësve të tij dhe të forcave aleate.

Atë mëngjes qershori, sfida ishte e qartë… Ata ishin nga e gjithë Amerika. Atëherë vlerësohej se 80% do të vriteshin brenda disa orëve. Ky ishte vlerësimi. Por, ata ishin trima, të vendosur dhe ishin gati”, tha presidenti Biden.

Nga Normandia, presidenti Biden u bëri thirrje aleatëve për ta vazhduar betejën në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë.

I njohim forcat e errëta, ndaj të cilave luftuan këta heronj 80 vite më parë. Ato nuk shuhen ndonjëherë. Agresioni dhe makutëria, dëshira për të dominuar dhe për të marrë nën kontroll, për të ndryshuar kufijtë nëpërmjet forcës, këto janë të përhershme”, tha presidenti Biden.

Për ta vazhduar këtë betejë, presidenti amerikan bëri thirrje për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën dhe për të mos iu dorëzuar tiranisë dhe agresionit të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, një koalicion me mbi 50 vende, qëndrojnë me forcë në krah të Ukrainës. Ne nuk do ta braktisim, pasi nëse e bëjmë këtë, Ukraina do të nënshtrohet. Dhe nuk do të ndalet aty. Do të rrezikohen vendet fqinje të Ukrainës. E gjithë Evropa do të rrezikohet”, tha presidenti Biden.

Analistët thonë se është pikërisht kjo histori 80-vjeçare nga e cila mund të nxirren mësime, por se objektivat e presidentit Biden për Ukrainën mund të mbeten disi në hije për shkak të mbështetjes së tij për një tjetër konflikt, atë mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Ndërsa presidenti Biden gjendet në Francë dhe së shpejti do të ketë takime të nivelit të lartë për disa javë me radhë, me një axhendë të ngjeshur me objektivin për të ulur tensionet ndërkombëtare, pikëpyetja lind për të gjithë: Në çfarë kohërash jetojmë?/VOA/